Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Raporti i ICG: Kërkohet presion ndërkombëtar për t’i kapërcyer pengesat mes Kosovës dhe Serbisë

Raporti i ICG: Kërkohet presion ndërkombëtar për t’i kapërcyer pengesat mes Kosovës dhe Serbisë

Në një raport të ri të publikuar dje, Organizata joqeveritare “International Crisis Group” (ICG) u ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, duke ofruar një vlerësim kritik të situatës dhe duke sjellë në dritë disa rekomandime për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

ICG përshkruan veriun e Kosovës si “territor rebel” dhe vëren se, pavarësisht suksesit të Kosovës në fitimin e kontrollit mbi territorin, mundësitë për normalizim me Serbinë po zbehen.

Në raportin me titull ‘Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara’, dedikuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë [KFOR] “për të çmilitarizuar veriun”.

“Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të Policisë prej rajoneve me shumicë serbe dhe derisa ta bëjë atë, t’i dislokojë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, marrë parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet”.

Raporti jepet në një kohë kur situata në veriun me shumicë serbe vazhdon të jetë jo e qetë, kështu duke përmendur edhe sulmin terrorist të grupit serb në krye me Milan Radoiçiq në shtator 2023.

Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, për të rritur ndjesinë e sigurisë së Prishtinës, KFOR-i duhet t’i ndihmojë Kosovës në kontrollin e kufirit, të parandalojë kontrabandën e armëve të rënda dhe t’i gjejë ato që janë futur më herët.

“E Serbia duhet të ndalojë mbështetjen për aktivitet paramilitar dhe t’i gjykojë ata që janë përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës. Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, për të garantuar paqe dhe për të shmangur përshkallëzimin, derisa të arrihen kushtet për një marrëveshje të negociuar”.

ICG thekson se për të mbetur një komunitet i aftë për vetëqeverisje, serbët e Kosovës kanë nevojë për qasje të vazhdueshme në institucionet e Kosovës dhe një ndjenjë sigurie, e cila mund të vijë vetëm përmes kthimit të serbëve në forcat policore të Kosovës.

Raporti thotë se në 2021, thotë se përpjekjet e Kosovës për të shtuar autoritetin e saj në veri përmes Njësive Speciale të Policisë, janë përballur me kundërshtim të ashpër nga komuniteti serb, duke çuar në përleshje të shpeshta mes policisë dhe serbëve rebelë. Situata është përkeqësuar në maj 2023, kur një përleshje mes serbëve dhe paqeruajtësve të NATO-s ka lënë shumë të plagosur.

Ndërkohë, Prishtina ka përfituar nga kjo situatë duke forcuar pozicionin e saj në veri, arritur një marrëveshje me Serbinë për njohjen reciproke të targave dhe ndaluar përdorimin e dinarit serb.

ICG kërkon një zgjidhje të arsyeshme të propozuar nga BE-ja që përfshin një marrëveshje të gjerë normalizimi ku Serbia nuk do ta njihte zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por do të vepronte sikur ta bënte.

“Në këmbim, Kosova do t’i jepte minoritetit serb një njësi vetëqeverisëse për komunat serbe. Megjithatë, kjo marrëveshje mbetet e pazbatuar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth detajeve dhe fushëveprimit të njësisë autonome serbe”.

ICG paralajmëron se dialogu i BE-së mund të mos arrijë të kapërcejë pengesat ekzistuese dhe marrëdhënia mes Beogradit dhe Prishtinës mund të mbetet e ngrirë.

Prandaj, organizata thekson rëndësinë e presionit ndërkombëtar për të sjellë qetësi në Ballkanin Perëndimor.

 

Powered by WordPress