Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, e ka cilësuar zhgënjyes Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën për vitin 2026, duke kritikuar mungesën e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
Ibrahimi ka thënë për KosovaPress se një pjesë e gjetjeve të raportit kanë ardhur si pasojë e mos adresimit të kërkesave të kryetarëve të komunave nga ana e Qeverisë.
Ai ka përmendur problemet me kontratat kolektive, ridestinimin e mjeteve buxhetore, mungesën e grantit specifik për shërbime sociale dhe pabarazinë në ndarjen e investimeve nga ministritë.
Sipas tij, disa komuna kanë përfituar deri në 600 euro për kokë banori nga ndarjet buxhetore, ndërsa të tjera vetëm 20 euro, duke kërkuar trajtim të barabartë të komunave, pavarësisht përkatësisë politike të udhëheqësve të tyre.