Shkruan: Afrim Kasolli
Është bërë e zakonshme që zyrtarët qeveritarë të përdorin shifra fiktive mbi nivelin e ulët të papunësisë në Kosovë. Jo shumë kohë më parë, Lëvizja Vetëvendosje në faqen e saj zyrtare i kishte shpërndarë të dhënat e Barometrit Ballkanik, sipas të cilit niveli i papunësisë në Kosovë sillej përafërsisht 4 përqind. Pra kjo shkallw ishte mw e ulwt se ne çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian. Bie fjala, Finlanda dhe Suedia si dy nga vendet mw te njohura pwr zhvillim ekonomik, e kishin vilein e papunwsiw nw 8.4 pwrqind dhe 8.3 pwrqind, kurse Kosova 4 pwrqind.
Retoriken mbi zhvillimin e jashtëzakonshëm ekonomik të Kosovës gjatë këtij mandati, si dhe mbi uljen e papunësisë në masë të madhe e ka mbrojtur si kryeministri Kurti ashtu edhe ministri i Financave, Hekruan Murati.
I pari në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të partisë që drejton kishte deklaruar se “kjo vjeshtë e gjen Kosovën me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisim, Kosova kishte 350 mijë të punësuar. Këta 75 mijë të punësuar më shumë për tre vjet e gjysmë nuk do të mbërriheshin pa u rritur ekonomia dhe pa shpërndarjen që kemi bërë, në fusha të ndryshme, por gjithnjë me qëllimin e njëjtë: t’i përkrahim njerëzit për jetesë sa më të mirë, për të drejtat tyre, për mirëqenien e tyre” Po ashtu brenda këtij harku kohor, “ekonomia e vendit tonë, përkatësisht bruto produkti vendor, është rritur për 33% me qeverisjen tonë, ndërkaq buxheti i shtetit për 35%” pohonte ndër të tjera kryeministri Kurti para militantëve të tij.
Mirëpo, në lidhje me këtë temë ai nuk kishte nguruar edhe të tallej deri në përmasa groteskte. Me një gjuhë thuajse banale, para pak dite në një takim më mërgatën, mbase edhe për t’i ofenduar më shumë ata që ishin pjesëmarrës se pse e lejonin vetën të dëgjonin asi propaganda, Kurti kishte deklaruar, se “Ata motra e vllazni që thonë se në Kosovë s’ka punë veç çojini tek unë”. Kurse në këtë linjë, ministria e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla shprehej se aktualisht Kosova qëndron numër 1 në Evropë në mesin e 34 shteteve për zhvillim ekonomik.
Me këtë rast, raporti i fundit të Bankës Botërore, “se në Kosovë vetëm 37 përqind e popullsisë për punë është e punësuar”, jo vetëm që i demanton shifrat e deri tanishme spekulative të pushtetit mbi shkallën reale të papunësisë, por ai tregon dhe dëshmon se si drejtuesit e Qeverisë e kanë shndërruar këtë temë edhe në objekt tallje e argëtimi me militantët e tyre, sidomos me mbështetësit nga diaspora, pasi janë të vetëdijshëm se vetëm i eksploatojnë politikisht, por nuk kanë asnjë detyrim dhe përgjegjësi ndaj tyre. /TV Arbëria