Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Raportet e Vuçiq me Putin dhe planet e Turqisë për t’iu bashkuar BRICS’it- Berlini ka pyetje për Kurtin e Osmanin

Raportet e Vuçiq me Putin dhe planet e Turqisë për t’iu bashkuar BRICS’it- Berlini ka pyetje për Kurtin e Osmanin

Lidershipi i Kosovës ka qenë një nga më të zëshmit rreth raporteve të Beogradit me Moskën dhe regjimit të Aleksandar Vuçiq me regjimin e Vladimir Putin, duke ia rikujtuar për çdo ditë Perëndimit këto marrëdhënie.

Argumenti kryesor: Vuçiq po përkëdhelet nga SHBA dhe BE pavarësisht se ka refuzuar ta unifikojë politikën me Unionin karshi Rusisë duke refuzuar t’i vendos sanksione si përgjigje për agresionin ndaj Ukrainës.

Kritikat nga Prishtina s’janë ndalur pothuajse çdo ditë, sidomos pasi BE vendosi masa ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të Qeverisë në Veri.

Por, vende të fuqishme të BE’së dhe SHBA të cilat po përpiqen të gjejnë një zgjidhje Kosovë -Serbi po i vazhdojnë përpjekjet që Serbinë “t’a kthejnë” drejt Perëndimit. Disa janë të bindur se edhe po ia dalin. Presidenti i Francës Emmanuel Macron i cili vizitoi Serbinë në fund të gushtit për një pazar 2.7 miliardë dollarësh duke ia shitur Serbisë 12 avionë Rafale, këtë kontratë e pa si vendim stretegjik të Beogradit.

Ai tha se Bashkimi Evropian ka nevojë për “një Serbi të fortë dhe demokratike” dhe se vendimi i saj për të blerë avionë Rafale është një “zgjedhje strategjike dhe afatgjatë në këtë drejtim”.

“Vendi juaj ka një vend në Evropën tonë, në BE-në tonë”, tha Macron në konferencën për shtyp pas takimit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e komentuar vizitën e Macron në Beograd tha se vendimet e Serbisë po shkojnë në drejtim të duhur.
“Mendoj se Serbia po merr vendime strategjike të rëndësishme. Njëra prej këtyre vendimeve lidhet me blerjen e këtyre avionëve luftarakë, ‘Rafale’. Ajo që po bën Serbia nuk është vetëm blerja e avionëve, por blerja e marrëdhënieve me forcat ajrore të NATO-s. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme” ka thënë Hill.

Në Kosovë nuk ka pasur reagime zyrtare ndaj vendimit të Francës për t’i shitur Serbisë avionë. Një ditë pas marrëveshjes në Beograd, Kosova ndërmorri aksion policor në Veri duke i mbyllur pesë objekte të katër komunave ilegale që vepronin atje. Në Beograd kjo u komentua si “hakmarrje” për shkak të ‘deal’it Macron -Vuçiq.
Kurti s’bëri ndonjë komet rreth kësaj. Në një event të ambasadës franceze ku u paraqit disa ditë më vonë u shfaq dashamirës ndaj kulturës dhe letërsisë franceze duke bërë thirrje të mësohet kjo gjuhë.

Një ngjarje tjetër që është pritur keq dhe ka shkaktuar irritim në Kosovë, është ai i Kancelarit të Gjermanisë Olac Sholz i cili shkoi në Serbi gjatë korrikut bashkë me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian për të nënshkruar memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike – litiumin.

Sholc, aty, “nuk pati shumë kohë” për raportet Kosovë-Serbi.
Ministra të Qeverisë Kurti për këtë kanë goditur publikisht qeverinë në Berlin për raportin e “ri” ndaj Aleksandar Vuçiq.
Kryediplomatja Donika Gërvalla parëmbrëmë ishte ashpër në një shkrim në “X” kur reagoi për bllokimet e rrugën në territorin e Serbisë të një veture me targa të Gjermanisë ku pasagjerët ishin shqiptarë.
Aleksandër Vuçiq po e mashtron BE’në dhe Gjermaninë duke folur për anëtarësim në BE. Sipas saj, policia serbe s’po ndërmerr asgjë kundër bllokuesve të rrugës që s’po i lënë shqiptarët të kalojnë.

“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë makinat me regjistrim gjerman dhe nuk i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiqit po e mbështet atë përshkallëzim racist, duke parë dhe duke mos bërë asgjë”, shkroi Gërvalla.
Po ashtu Gërvalla ka përmendur edhe marrëveshjen për litiumin duke thënë se pavarësisht saj, Gjermania duhet të reagojë. Kryediplomatja e Kosovës i ka bërë thirrje edhe BE’së e SHBA që ta ndalin Vuçiqin para se ai të nisë luftë.

Një reagim tjetër erdhi nga Ministrja Rizvanolli e cila i çoi porosi Berlinit nga Greqia, teksa po fliste në një forum për energjinë.
Ajo theksoi atje se lëndët e para si Litiumi, nuk mund të sigurohen “duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit”.
Po ashtu, ajo ka vlerësuar se “bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit”.

Nuk dihet nëse kjo situatë është reflekruar direkt në raportet e Prishtinës me Berlinin zyrtar, por gjatë javës që shkoi Qeveria Kurti nuk i është bindur Gjermanisë në kërkesat e saj për heqjen e masave ndaj disa produkteve nga Serbia. Gjermanët thanë haptas se Kurti si dëgjoi, ndërsa Qeveria tha se ka ofruar kompromis rreth përfaqësimit të Kosovës në CEFTA duke pranuar që kjo të bëhet me asteriks e jo me emrin kushtetues të vendit. Sa i përket masave, qeveria tha se ato janë vënë për shkak të vlerësimit të strukturave të sigurisë.

Kritikat e ashpra të Qeverisë megjithatë nuk janë injoruar në Berlin. Emisari gjerman qe erdhi dy herë në Kosovë brenda pak ditësh, siguroi se Kosova është aleati kryesor i Gjermanisë.

“Do të ishte negative nëse krijohet bindja se bashkëpunimi rajonal apo integrimi rajonal mund të realizohet duke e përjashtuar Kosovën. Do të ishte një imazh krejt tjetër nga ai që është, se mund të llogarisim në Kosovën në shtegun rajonal drejt BE-së. Ju jeni aleati ynë kryesor në rajon. Me apo pa litium… dhe nëse doni ta sillni me sukses rajonin në BE, dhe ta përafroni, duhet të pyesim me apo pa Kosovën. Këtë nuk e duam, prandaj duhet të kemi politikanë në Kosovë që janë të gatshëm për kompromise dhe të jenë aq të fuqishëm sa për t’ia shpjeguar opinionit. Kosova do të jetë më e sigurt dhe më e suksesshme dhe më e njohur nëse i shkojmë këtij shtegu bashkë”, tha ai.

Por, u përkujdes që t’ua lë një mesazh zyrtarëve të shtetit rreth kritikave ndaj bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë, duke aluduar që këtë standard nuk e zbatojnë ndaj Turqisë.

“Cila është përgjigjja e politikanëve kosovarë ndaj zotimit të Turqisë që t’i bashkohet BRICS-it?”, tha ai.

“Sepse besoj që BRICS – mbledhja do të mbahet më duket në Rusi…” shtoi gjermani.

Të premten në Prishtinë ka qëndruar kryediplomati turk Hakan Fidan i cili ka takuar krerët e shtetit. Sipas njoftimit nga ZKM të dy palët janë shprehur “të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik”.

Fidan që erdhi në Kosovë pas arrestimit të një shtetasi të Kosovës në Turqi si bashkëpunëtor i Mossadit izraelit tha se në Prishtinë “ndihet si në shtëpi dhe se Prishtina konsiderohet shtëpi e jona”, publikisht s’foli për rastin.

BRICS është shkurtesë për emrat e pesë shteteve Brazil, Rusi, Indi, Kins dhe Afrikë e Jugut një grup ky i themeluar në vitin 2009, që më vonë i janë bashkuar edhe vende tjera, ndërsa edhe Ankaraja ka përmendur se mund t’u bashkohet. Në Samitin e BRICS që pritet të mbahet në fund të tetorit në Kazan të Rusisë, sipas raportimeve pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i Turqisë, ndërsa ftesa i është bërë edhe Presidentit të Serbisë i cili i tha Putini se në ato data ka takime, por ende s’e ka një përgjigje definitive se a do ta refuzojë Putinin.

Powered by WordPress