Ka qenë thuajse “sekret publik” që një pjesë e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë përkrahur kryeministrin, Albin Kurti, deri sa i njëjti ishte në opozitë. Ndonëse, nuk e thonin hapur, por shihej qartë se ishin pro ardhjes së tij pushtet.
Në funksion të këtij qëllimi Kosova portretizohej si një vend i zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion. Madje aludohej se investimet e huaja, zhvillimi ekonomik dhe progresi shoqëror ishte peng i “regjimit të vjetër”.
Se kjo ka qenë kështu është dëshmuar disa herë nga një përfaqësues i drejtpërdrejtë politik i kohës, ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa.
Në një status të mëhershëm ai kishte shkruar, se “LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-të. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota. Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian”. Ndërkohë, pas këtij postimi në një status në një intervistë për nacionalen kishte deklaruar se “zv ambasadori gjerman sillej si zëdhënës i Vetëvendosjes në zyrat e LDK-së ,dhe si ai i ushtronte presion LDK-së që të jetë shpërfillës ndaj kërkesave amerikane”.
Kurse para pak dite, po ashtu në një status tjetër, e sulmoi raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e cila sipas Mustafës ka një kontribut jashtëzakonshëm për ardhjen e VV-së në pushtet.
“Jashtë çdo norme normale, me subjektivizëm të pashoq, me përzierje flagrante në relacionet e brendshme partiake e demokratike e me anim të hapur, Cramon e mbajti lartë flamurin e Vetëvendosjes, duke atakuar para zgjedhjeve partitë që sot janë në opozitë. Sot nuk e di a është raportuese e VV-së apo e shtetit që VV synon çdo ditë ta shndërrojë në diktaturë?!” kishte përfunduar Mustafa.
Mirëpo, nuk mund të mohohet as fakti për një anim të hapur edhe të Albin Kurtit për BE-në në tërë si dhe shtetet të veçanta të saj.
Në kohën e tensioneve të njohura në mes Uashingtonit dhe Brukselit veçanërisht gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, Albin Kurti kishte pohuar “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për Borrellin, Lajçakun e Brukselin se sa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borrelli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë”.
Në këtë mënyrë sipas Kurtit, roli SHBA-ve është i panevojshëm, për të mos thënë i dëmshëm.
Sidoqoftë, gjërat ndryshuan me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet. Muajit të mjaltit i erdhi fundi. Edhe pse ndodhen ndryshimet politike, dhe e fitoi pushtetin i preferuari i BE-së, investimet e huaja nuk erdhën.
Përkundrazi, Kosova u sanksionua në kohën e kanakarit politik të Brukselit. Kurse i pari i Qeverisë së Kosovës pas takimit të 18 shtatorit në Bruksel i sulmoi ndërmjetësit evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë , se është “pozicionuar kundër interesave të Kosovës” dhe se “kushtëzimi i Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së ”.
Ndërkohë zyrtarë të kësaj qeverie shkuan deri atje se konstatuan se BE-ja as nuk ka mundut të jetë garantuese e paqes. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut, në Kroaci, pat pohuar se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, Bashkimi Evropian, nuk mund të garantojë paqe dhe siguri, dhe se e njëjta pa këto dyja, sipas saj është një “tigër prej letre”.
Kjo dinamikë e raporteve të “miqësisë dhe armiqësisë ” në mes Kurtit dhe BE-së tregon se një trajektore e tillë paska qenë e lidhur vetëm me procesin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë . Sepse po të kishin qenë të vërteta kualifikimet e dikurshme të zyrtarëve evropianë për Kosovën si vatër e krimit dhe korrupsionit, atëherë pas ndryshimeve që kanë ndodhur me 14 shkurt të vitit 2021, do të ishin pajtuar edhe propozimin e fundit të Kurtit për ndarjen e procesit të normalizimit të raporteve me Serbinë me procesin e integrimeve evropiane.
Përkundrazi, Ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, ia bëri dje të qartë zv.kryeministrit Besnik Bislimi se këto dy procese nuk mund të ndahen.
Po ashtu, një gjë të tillë e konfirmoi edhe zëdhënësi i BE-së , Petar Stano. Ndërkohë , është bërë e qartë se masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik, varen nga rrjedhja e situatës në terren dhe dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Kurse diplomatë ndërkombëtarë në Kosovë, e më i dalluari në këtë drejtim Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode dhe diplomatë të tjerë e kanë bërë të qartë se nuk mjafton retorika e qeverisë sesi Kosova qenka vendi i parë në rajon, i dyti në Evropë dhe i treti në botë për reforma në drejtësi për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, por ky proces varet ekskluzivisht nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.
/TV Arbëria