Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes aktuale politike dhe ekonomike në Kosova, duke e cilësuar atë si një periudhë “jonormaliteti” që po dëmton drejtpërdrejt qytetarin.
Në një reagim publik, Haradinaj shpreh shqetësimin për, siç thotë ai, shndërrimin e jo-normalitetit në mënyrë jetese, duke akuzuar për qeverisje në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese, si dhe për bllokim institucional.
Ai thekson se Kosova është bërë vendi i vetëm me parlament të zgjedhur, por të pezulluar, ndërsa debati publik dominohet nga temat politike, duke lënë në harresë problemet reale të qytetarëve.
Haradinaj përmend edhe gjendjen e rëndë socio-ekonomike, duke përfshirë emigrimin e vazhdueshëm, varfërinë dhe vështirësitë e përditshme të qytetarëve. Ai rikujton edhe rastin tragjik të tre qytetarëve që humbën jetën në një vendpunishte në Vjenë, si pasojë e kushteve të rënda të punës jashtë vendit.
Sipas tij, qytetarët po përballen me rritje të çmimeve, përfshirë energjinë elektrike, sistem arsimor problematik dhe mungesë të shërbimeve të përballueshme shëndetësore.
Në këtë kontekst, ai kritikon edhe praktikat e ndarjes së ndihmave financiare prej 100 eurosh në prag të zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si “lëmoshë” dhe jo zgjidhje reale për problemet e qytetarëve.
Haradinaj ngre shqetësimin edhe për mungesën e investimeve kapitale dhe të huaja, si dhe për tenderët njëburimorë dhe projektet e papërfunduara, të cilat, sipas tij, janë lënë në harresë.
Ai kritikon gjithashtu shpenzimet e mëdha për zgjedhje, duke theksuar se brenda një viti janë mbajtur katër palë zgjedhje, të financuara nga taksapaguesit, ndërkohë që një parti e vetme, sipas tij, ka shpenzuar mbi 4 milionë euro për propagandë.
Në fund, Haradinaj thekson se qytetari është viktima kryesore e kësaj situate, duke u përballur me varfëri, emigrim dhe sfida të mbijetesës.
“Prandaj sot është koha që qytetari ta marrë fatin në duart e veta. Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur,” përfundon ai, duke shprehur shpresë për ditë më të mira dhe për një të ardhme më të sigurt për qytetarët brenda dhe jashtë vendit.