Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se subjekti i tij politik ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar rezultatin si “historik”.
Në një mbledhje me Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të partisë, Haradinaj tha se AAK ka arritur të fitojë pa balotazh në disa komuna, dhe se pret fitore shtesë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.
“Sot, bashkë me kolegët nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës, diskutuam mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rezultatin e arritur. Aleanca ka fituar pa balotazh në Deçan, ndërsa me numërimin e votave me kusht dhe atyre nga diaspora, presim fitore në raundin e parë edhe në Gjakovë, Suharekë dhe Klinë,” deklaroi ai.
Haradinaj nënvizoi gjithashtu fitoren e qartë në një tjetër komunë.
“Në Rahovec, jemi fitues absolut që në raundin e parë, me diferencë të theksuar nga partia e dytë, ndërsa në Junik hyjmë në raundin e dytë të vendosur për fitore.”
Sipas tij, Aleanca prin me numrin e asamblistëve në pesë komuna dhe ka kaluar shifrën 100 të asamblistëve të zgjedhur, duke shtuar se ky numër mund të rritet më tej pas përfshirjes së votave që ende nuk janë numëruar.
“Numri i përgjithshëm i asamblistëve të zgjedhur të Aleancës tashmë ka kaluar 100, pa i llogaritur ende votat e diasporës dhe ato me kusht, me pritje që ky numër të rritet më tej,” u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se gjatë takimit u diskutua edhe për çështjen e institucioneve qendrore, ku AAK pritet të mbajë qëndrime të qarta dhe të përgjegjshme.
“Pikë tjetër e diskutimit në mbledhjen e sotme ishte edhe procesi i krijimit të institucioneve qendrore, ku Aleanca do të marrë qëndrime të qarta dhe të përgjegjshme në përputhje me interesin e vendit,” tha Haradinaj në fund.