Gjatë një vizite në Jerusalem, Ramiz Lladrovci ka vizituar Xhaminë Al-Aksa, një nga vendet më të shenjta dhe më të ndjeshme në botë, me simbolikë të thellë fetare, historike, politike dhe identitare.
Al-Aksa, e cila pas Mekës dhe Medinës konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame dhe ishte Kibla e parë e myslimanëve, mbetet një simbol i rëndësishëm për miliona besimtarë në mbarë botën.
Nga ky vend i shenjtë, Lladrovci ka bërë lutje për ndaljen e armiqësive mes njerëzve dhe popujve, për përfundimin e luftërave dhe padrejtësive që po tronditin botën. Ai ka theksuar se një lutje e veçantë ishte për popullin shqiptar, i cili sipas tij ka pasur fatin të ketë prijës të denjë dhe miq të vërtetë në momentet më të vështira, kur rrezikohej vetë ekzistenca.
Po ashtu, Lladrovci ka deklaruar se është lutur për të gjithë ata që, siç u shpreh ai, kanë humbur rrugën e Zotit duke shpifur dhe duke kryer vepra të këqija, që të ndalen nga këto veprime. Një mesazh të veçantë ai e ka adresuar edhe ndaj atyre që, sipas tij, merren me ligjërata boshe dhe vjedhje të votës, duke theksuar se veprime të tilla dënohen jo vetëm nga Zoti, por edhe nga ligji.