Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ramiz Lladrovci reagon për videon me mjetin e pastrimit në gjendje të parregullt: Rrezik serioz për sigurinë publike

Ramiz Lladrovci reagon për videon me mjetin e pastrimit në gjendje të parregullt: Rrezik serioz për sigurinë publike

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të Kompania Rajonale e Pastrimit duke qarkulluar me një mjet pune në gjendje teknikisht të parregullt.

Përmes një reagimi publik, Lladrovci ka sqaruar se kjo kompani është ndërmarrje publike rajonale dhe nuk menaxhohet nga Komuna e Drenasit, por funksionon në bazë të legjislacionit në fuqi dhe statutit të saj, nën përgjegjësinë e organeve kompetente në nivel qendror.

Sipas reagimit, veprimi i paraqitur në video konsiderohet sjellje e papërgjegjshme dhe e rrezikshme, pasi qarkullimi i një mjeti me defekt teknik përbën rrezik serioz për sigurinë në komunikacionin publik dhe bie ndesh me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor si dhe standardet e sigurisë teknike të mjeteve motorike.

Në deklaratë theksohet se një veprim i tillë përbën:

  • shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,

  • shkelje disiplinore,

  • si dhe shkaktim të dëmit material, me pasoja të mundshme edhe penale në rast rrezikimi të jetës dhe sigurisë publike.

Lladrovci ka nënvizuar se asnjë mjet pune nuk duhet të marrë pjesë në komunikacion pa qenë teknikisht i rregullt dhe i sigurt, pavarësisht institucionit apo natyrës së punës.

Ai shtoi se, nëse punonjësit do të ishin nën përgjegjësinë direkte të komunës, rasti do të ishte referuar menjëherë në komision disiplinor dhe do të pasonin masa ndëshkuese pa tolerancë.

Në fund, në reagim thuhet se institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin hetimet dhe masat e nevojshme ligjore e disiplinore, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten, duke theksuar se siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë mbi çdo justifikim operacional apo individual.