Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës politike në vend, duke theksuar se partitë politike me taban atdhetar duhet të jenë në vijën e parë të mbrojtjes së shtetit dhe institucioneve.
Sipas Lladrovcit, këto parti janë të vetëdijshme për, siç i quan ai, “dredhitë politike” dhe për këtë arsye duhet të punojnë vazhdimisht për të zvogëluar ndikimin e keqbërësve politikë dhe për të parandaluar degradimin institucional.
“Partitë e kanë obligim të veprojnë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe kundër dredhive që e dëmtojnë shtetin, ndryshe nuk e arsyetojnë ekzistencën”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar ashpër edhe qasjen komode të disa akterëve politikë, duke e cilësuar si të papranueshme në kohë kur, sipas tij, shteti përballet me sfida serioze.
“Komfori si fazë finale e arritjeve të çaushëve të rinj në kohën kur rrezikohet shteti, është mjerim”, u shpreh Lladrovci.
Në fund të reagimit të tij, ai ka bërë thirrje për veprim dhe përgjegjësi, duke apeluar: “Hapni krah o trima o dilni zot situatës!”