Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se së bashku me Abaz Gjuka, bashkëpunëtorë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe veteranë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.
Sipas Lladrovcit, gjatë vizitës janë vendosur buqeta me lule në Kompleksi Memorial Adem Jashari si dhe në Marinë dhe Gllanasellë, në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
Ai ka bërë të ditur se gjatë homazheve kanë takuar edhe Rifat Jashari, me të cilin kanë shprehur nderimin për Epopeja e UÇK-së dhe për familjen legjendare Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.
Lladrovci ka theksuar se historia e Kosovës dhe e kombit shqiptar nuk mund të shkruhet pa Epopenë e UÇK-së, duke shtuar se sakrifica e familjes Jashari dhe e dëshmorëve do të mbetet përherë e respektuar.
“Përkulemi me nder para sakrificës madhore të Jasharajve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Lavdi komandantit legjendar Adem Jashari, lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.