Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur mbështetjen e tij për Altin Jakup Krasniqin, duke vlerësuar se prania e tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ishte në dobi të komunës së Drenasit dhe të gjithë vendit.
Sipas Lladrovcit, Drenasi ka pasur gjithmonë përfaqësim në Kuvend, ndërsa zgjedhja e Altin Jakup Krasniqit deputet do të ishte një ogur i mirë për komunën dhe për Kosovën. Ai theksoi se vota për Altinin do të ishte një votë me jehonë përtej kufijve, duke dëshmuar gatishmërinë e tij për të marrë përgjegjësi në shërbim të qytetarëve.
“Altini meriton të jetë në mesin e kandidatëve më të mirë në Kuvendin e Republikës, duke përfaqësuar dhe promovuar vlerat më të çmuara atdhetare, profesionale dhe të brezit që po vjen, i vetëdijshëm për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen tonë”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai shtoi se Altin Jakup Krasniqi i duhet Kosovës, Kuvendit dhe qytetarëve të Drenasit për t’i dhënë fund krizës politike dhe për të kontribuar në ndryshimin e vendit.
Lladrovci vlerësoi se përvoja, përgatitja profesionale dhe përkushtimi i Altinit e bëjnë atë një përfaqësues të denjë të qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues të vendit.