Luftëtari shqiptar i arteve marciale të përziera, Ramiz Brahimaj, ka regjistruar një fitore të rëndësishme në UFC, duke mposhtur Austin Vanderfordin në raundin e dytë me një mbërthim të fuqishëm. Ndeshja u zhvillua të shtunën mbrëma në Las Vegas, duke i sjellë Brahimajt fitoren e tretë rresht në serinë më të njohur të MMA-së në botë.
Me këtë fitore, 32-vjeçari ka bilanc në UFC prej 5 fitoreve dhe 3 humbjeve, ku të gjitha fitoret i ka me ndërprerje. Brahimaj është një nga pesë luftëtarët aktivë në kategorinë velter me më së shumti fitore me mbërthim, duke pasur 4 fitore të tilla, ndërsa lider në këtë statistikë është Gunnar Nelson me shtatë fitore.
Pas ndeshjes, Brahimaj deklaroi: “Jiu-jitsu im, goditjet me këmbë. Po bëhem më i mirë çdo ditë. E di se mund të jem më i miri në botë.” Në një moment të veçantë gjatë intervistës, ai i vendosi plisin tradicional shqiptar në kokë komentatorit të UFC-së, Joe Rogan, i cili pranoi dhuratën me entuziazëm.
Ramiz Brahimaj debutoi në UFC më 7 nëntor 2020 dhe më parë ka garuar në liga të njohura si LFA, Xtreme Knockout dhe Genesis Combat Sports.