Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka reaguar sot lidhur me protestat që po zhvillohen në Beograd, duke paralajmëruar se regjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq po përballet me shembjen e tij politike.
Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani ka vlerësuar se politika e Vuçiqit për të mbajtur njëkohësisht lidhje me Perëndimin dhe me Rusinë e Kinën ka dështuar, ndërsa, sipas tij, kjo qasje ka prodhuar pasiguri në rajon.
“Serbia nuk mund të mbajë politikën e dy kapeleve: edhe me Perëndimin, edhe me Rusi-Kinë. Kjo politikë e Vuçiqit dhe regjimit të tij jo vetëm që është lexuar nga të gjithë, por edhe ka mbajtur gjallë rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë rajonale,” ka shkruar Ramadani.
Ai ka theksuar se protestat që po zhvillohen prej më shumë se një viti në Serbi, e veçanërisht ajo e sotmja në Beograd, janë shenjë e qartë se regjimi i Vuçiqit po përjeton fundin e tij politik.
“Ky është destinimi i autokratëve kudo. Shembja e tyre është e paalternativë!”, ka deklaruar Ramadani, duke shtuar edhe një thirrje për qytetarët e Kosovës që të shmangin udhëtimet sot nëpër Serbi, veçanërisht në Beograd, për shkak të situatës së paqëndrueshme.