Profesori dhe analisti politik Sadri Ramabaja, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke folur për mundësinë e një mandatari të ri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe për afërsinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ramabaja tha se nuk e përjashton mundësinë që LVV të propozojë të njëjtin kandidat për mandatar, duke theksuar se presidentja është e detyruar të presë deri në afatin kushtetues përfundimtar.
Ai theksoi se përcaktimi i datës së zgjedhjeve nuk duhet të shihet si çështje personale e liderëve politikë, por si proces që lidhet me rendin kushtetues dhe me respektimin e parimeve demokratike.
“Është përgjegjësi e liderëve tanë të takohen dhe të dakordohen, sepse data e zgjedhjeve nuk është çështje dëshire personale, por çështje e rendit kushtetues dhe e demokracisë. Përveç afateve kushtetuese, duhet të merret parasysh edhe fakti që një e treta e qytetarëve jetojnë jashtë vendit. Po të kishim frymë pajtuese brenda spektrit politik, do të ishte më e lehtë të gjendej një datë që i përshtatet të gjithëve,” ka shtuar ai në teve1.
Duke folur për situatën në Kuvend, Ramabaja kujtoi se Qeveria Kurti kishte pasur numrat në muajin maj, por, siç tha ai, disa lëvizje politike i kanë ndryshuar rrethanat.
“Në maj, Qeveria Kurti i pati numrat, por kjo u ndryshua nga një lëvizje hibride politike. Prandaj, nuk mund të thuhet se Kurti ka dështuar për të formuar qeverinë e re,” përfundoi Ramabaja.