Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Romë dhe Barcelonë në datat 16–18 prill, në kuadër “të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë”.
Zyra e Kryeministrisë bën me dije se gjatë qëndrimit në Itali, Kryeministri do të zhvillojë një takim me Kryeministren italiane, Giorgia Meloni, e më pas me Ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Ndërsa në vijim të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.