Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës për nënshkrimin e kontratave në vlerë prej 4.67 milionë eurosh për sanimin e skarpateve në autostradën “Ibrahim Rugova”, duke e lidhur këtë zhvillim me aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në këtë autostradë, ku humbi jetën një person.
Në një postim në Facebook, Rama tha se “dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë”, ndërsa sot, sipas tij, u bë e ditur se heqja e dheut që “për vite u la aty pa u trajtuar” do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro.
“QEVERIA E PROPAGANDËS, E KONTRATAVE NJËBURIMORE DHE E TRAGJEDIVE QË MUND TË PARANDALOHESHIN! Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, që për vite u la aty pa u trajtuar, do t’u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro. Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet. Për vite me radhë nuk u largua dheu nga autostrada, por sot gjenden miliona euro për kontrata. Plot 4.67 milionë euro për heqjen e dheut, pasi problemi është zvarritur pafund. Kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë”, shkroi ai.
Rama kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke deklaruar se ai vazhdon të fajësojë të kaluarën për dështimet aktuale.
Një grua vdiq ndërsa një burrë u lënduar në një vetaksident dje në mesditë në autostradën “Ibrahim Ruogova”. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë se kjo ndodhi për shkak të gjendjes së rrugës dhe kërkuan përgjegjësi nga institucionet.