Kryeministri Edi Rama prezantoi programin “Shqipëria 2030”, duke theksuar ndërtimin e dy autostradave të kategorisë A që do të lidhin Shqipërinë me rrjetin rrugor të Bashkimit Europian. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi: “Tani me këto projekte ne do kemi dy autostrada të kategorisë A, që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e BE-së.”
Ai kritikoi praktikat e mëparshme të ndërtimit të rrugëve, duke thënë:
“Duket si absurde, për të gjitha rrugët që është bërë një propagandë e madhe kanë qenë tendera të pafinancuara. Nëse një aks kushton 30 milionë euro, edhe nga buxheti janë vendosur 1 milionë euro. Edhe të tjerat kismet, të fillojmë.”
Programi “Shqipëria 2030” synon ndërtimin e 700 km rrugë të reja dhe modernizimin e infrastrukturës ekzistuese, përfshirë transformimin e superstradës Tiranë-Durrës në një autostradë të kategorisë A.