Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Rama: Nuk jam anëtar i LDK-së

Rama: Nuk jam anëtar i LDK-së

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se nuk është anëtar i LDK-së dhe se anëtarësimin nuk e ka opsion as në zgjedhjet e ardhshme lokale kur ai pretendon një tjetër mandat.

“Që nga fillimi kemi pasur një marrëveshje të qartë që Lumiri do të merret me politikën, partinë, derisa unë do të merrem me kryeqytetin. Këtë jemi duke e bërë. Kemi raporte fantastike. LDK-së i dëshiroj sukses në zgjedhjet e brendshme. Unë nuk jam anëtarë i LDK-së. LDK-ja më ka ftuar për të garuar, dhe unë këtë e kam parë si një mundësi fantastike”, tha Rama në ATV.

Rama thotë se edhe në të kaluarën ka dhënë kontribut në kryeqytet duke ndihmuar kryetarët Shpend Ahmeti apo Ismet Beqiri.

“Unë bashkë me LDK-në kemi bërë një fushatë fantastike dhe kemi fituar zgjedhjet”.

I pari i Prishtinës thotë se e ka pasur ëndërr rregullimin e kryeqytetit dhe se moralisht nuk ka mundur të refuzojë ofertën e LDK-së.

I pyetur nëse do të kushtëzohet nga LDK-ja nëse do të dëshiron një mandat të dytë në kryeqytet, Rama thotë se shpreson të ketë mirëkuptim nga partia për të mirën e kryeqytetit.

“Nuk besoj se do të kem ndonjë kushtëzim pasi kam qenë i sinqertë qysh nga dita e parë. Unë jam i interesuar të rregullojë Prishtinën. Nuk jam i interesuar për të garuar për kryeministër apo diçka tjetër”, shtoi tutje Përparim Rama.

/TV Arbëria

Powered by WordPress