Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Aleancën euroatlantike se nëse nuk rivendosë kontrollin në veriun e Kosovës, do të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve dhe shqiptarëve etnikë në rajon.
Në një intervistë për prestigjozen britanike “The Financial Times” pas tensioneve në veri – ku forcat paramilitare serbe vranë rreshterin e Policisë së Kosovës dhe më pas morën peng Manastirin e Banjskës, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me autoritetet ligjzbatuese mbetën të vdekur 3 terroristë – Rama e konsideroi Kosovën një pikë të nxehtë.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, tha Rama.
NATO tha se do të vendoste sa më shumë trupa paqeruajtëse të nevojshme për të stabilizuar situatën, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe tashmë kanë premtuar dislokimin e qindra ushtarëve në krye të forcës ekzistuese prej 4 500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll.
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë gjithashtu thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj ushtarake dhe të qetësojë tensionet. Kosova ka fajësuar Serbinë për sponsorizimin e sulmit dhe për lëvizjen e njësive të ushtrisë afër kufirit të Kosovës, në atë që tregonte qëllime luftarake.
Beogradi mohoi të kishte organizuar plane të tilla, por po strehon udhëheqësin e milicisë, Milan Radoiçiq, i cili kreu rrethimin e manastirit. Pas sulmit të atij manastiri, autoritetet e Kosovës gjetën një depo të madhe armësh, duke përfshirë eksplozivë, artileri të rëndë dhe automjete ushtarake. Shqiptarët përbëjnë grupin etnik më të madh në Kosovë, i cili u shkëput nga Serbia në vitin 2008.
Beogradi nuk e ka njohur atë si një komb të pavarur, një hap i ndërmarrë nga SHBA-ja dhe shumica e vendeve të BE-së. Një pakicë etnike serbe është e përqendruar në pjesën veriore të Kosovës dhe ka refuzuar autoritetin e Prishtinës, duke organizuar protesta dhe bllokada të shumta gjatë vitit të kaluar.