Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Rama: Marrëveshja me Bullgarinë, tjetër sukses në njohjen e sigurimeve jashtë vendit

Rama: Marrëveshja me Bullgarinë, tjetër sukses në njohjen e sigurimeve jashtë vendit

Shqipëria dhe Bullgaria nënshkruan marrëveshjen për sigurimet shoqërore e cila rregullon sigurimin e shtetasve të Bullgarisë dhe Shqipërisë kur punojnë në vendet respektive.

Duke vlerësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Shqipëria shënon një tjetër sukses në njohjen e sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit”.

“Marrëveshja rregullon sigurimin e shtetasve të Bullgarisë dhe Shqipërisë kur punojnë në të dy vendet, garanton të drejtat e tyre të sigurimit, pagesës së përfitimeve në rast sëmundjesh ose aksidentesh në profesion, si edhe kushtet për dhënien e llojeve të ndryshme të pensioneve”, u shpreh ai.

Ministri bullgar i Punës dhe Politikave Sociale, Lazar Lazarov nënshkroi të enjten Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë. Dokumenti u iniciua në prani të ambasadores shqiptare Donika Hoxha. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes dypalëshe është i rëndësishëm për rregullimin e të drejtave sociale të qytetarëve dhe rregullimin e marrëdhënieve mes institucioneve dhe bizneseve”, sqaroi Lazarov.

Ai shprehu besimin se bashkëpunimi tradicionalisht i mirë mes dy vendeve do të vazhdojë.

Dokumenti rregullon sigurimin e shtetasve bullgarë dhe shqiptarë kur punojnë në të dy vendet, garanton të drejtat e tyre të sigurimit dhe përcakton procedurën e dhënies dhe pagesës së përfitimeve për sëmundjet dhe lehoninë, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale.

Ai gjithashtu rregullon kushtet për dhënien dhe pagesën e llojeve të ndryshme të pensioneve, invaliditeti për shkak të sëmundjes së përgjithshme, invaliditetit për shkak të aksidenteve dhe sëmundjeve në punë si dhe pensionet e të mbijetuarve.

Për t’u zbatuar, marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore midis Bullgarisë dhe Shqipërisë duhet të ratifikohet nga Asambletë Kombëtare. Kjo do t’u mundësojë personave të siguruar në Bullgari dhe Shqipëri të realizojnë të drejtat e tyre sociale.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe tema që lidhen me tregun e punës dhe migrimin për motive punësimi si dhe intensifikimi i negociatave për një projektmarrëveshje ndërmjet dy vendeve për rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe lëvizjes së lirë të punëtorëve, të iniciuar nga qeveria bullgare.

Ambasadorja Donika Hoxha vuri në dukje se në Bullgari janë 500 shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm dhe rreth 300 studentë. /ATSH/

/TV Arbëria

Themes by WordPress