Macron shkaktoi huti për vizat, Rama e çoi “në vend” mesazhin e tij
Deklarata e presidentit Emmanuel Macron për liberalizimin e vizave për Kosovën në Tiranë nxiti reagime të shumta, që kryesisht kishin të bënin me atë se a u përkthye mirë kreu i shtetit francez. Çështja e përkthimit nuk u sqarua deri në fund edhe pse Ambasadori francez në Prishtina doli për të qetësuar publikun, duke thënë se nuk ka një vendim teknik që vë në pikëpyetje vizat. Por, kërcënimi me viza duket se është real, sidomos, në bazë të asaj që tha mbrëmë Kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Macron ia ka thënë troç se nuk do të hapë rrugë për vizat nëse Kosova nuk hap rrugë për planin franko-gjerman.
Për hutinë që e krijoi deklarata e Macron në Tiranë për Kosovën dh qartës deklarata e Edi Ramës, i cili doli me një version të tij për atë që deshi të thotë francezi. Sipas fjalëve të Ramës, bazuar në bisedën me Macron, liberalizimi i vizave është në rrezik.
Për Ramën ishte shumë e qartë ajo që tha Macron dhe pati një këshillë që ajo të dëgjohet mirë meqë për Kosovën janë përpara disa “javë oportuniteti”. Kryeministri shqiptar zbuloi pak edhe nga biseda që kishte me Macronin mbi këtë çështje.
“Ai e preku situatën për çështjen e dialogut, si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët. Ai është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht së bashku me kancelarin Scholz për të vënë në tavolinë një plan, që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj. Dhe duke diskutuar më tha: unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman”, tha Rama në Opinion.
Rama siguroi se Macron “kishte parasysh vizat” kur e tha këtë.
“Ajo [deklarata e Macron] ishte shumë e qartë. Ajo që ishte shumë shqetësuese ishte se edhe figurat publike edhe me profile false me nxitje nga figura publike, u hodhën në një sulm ndaj tij dhe u hodhën në një sulm madje edhe ndaj meje thua se e bëra unë atë”.
Sipas Ramës, Kosova s’duhet t’i bëjë ‘karshillëk’ aleatëve të saj.
“Ta dëgjojnë e lexojnë mirë atë që tha sepse foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti. Pra që duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur, sepse nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng i gjithë komuniteti euroatlantik për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për të zgjidhur çështjen e vetë Kosovës”.
Rama u pyet se pse Macron “përmendi vizat e Kosovës dhe nuk përmendi asnjë sanksion ndaj Serbisë”. Por, për këtë s’pati përgjigje.
“Për këtë duhet të pyesni presidentin e Francës”, tha ai, duke vazhduar të tregojë pikëpamjen e tij për zhvillimin e mëtejmë të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Ajo që unë mund të them është angazhimi i tyre dhe arsyeja pse i gjithë ky reagim, që s’është vetëm i Macronit, por edhe i të gjithëve negativ ndaj këtij refuzimi të angazhimi ka të bëjë me faktin që ata janë investuar për Kosovën, jo për Serbinë sepse të investohesh në zgjidhjen e këtij problemi do të thotë të investohesh për Kosovën, sepse Serbia mund të mos jetë fare e interesuar për zgjidhjen, mund të jetë e interesuar që ta zvarrisë në pafundësi dhe për sa kohë ata i kanë vënë në tavolinë Kosovës që është njohja de facto nga Serbia e Kosovës, nuk arrijnë ta kuptojnë këtë absurditet dhe mbi të gjitha arsyeja pse ata janë kaq kërkues ndaj Kosovës sepse ata mendojnë – sipas meje me shumë të drejtë – është që Kosova duhet të bëjë pjesën e saj dhe t’ua lërë atyre pastaj të merren me Serbinë. Kjo është shumë e thjeshtë”, tha Rama.
/TV Arbëria