Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Rama: BE gati si kurrë më parë të na pranojë si anëtar i familjes evropiane

Rama: BE gati si kurrë më parë të na pranojë si anëtar i familjes evropiane

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm si kurrë më parë të pranojë si anëtar i familjes evropiane.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, kreu i qeverisë vuri në dukje se ky është një moment që duhet shfrytëzuar për t’u bërë pjesë e BE-së gjithnjë bazuar në merita dhe rezultate.

“Plani i përbashkët me komisionin Evropian dhe i mbështetur nga vendet anëtare është që  të arrijmë të mbyllim negociatat në harkun e tre viteve, nga 2024-ta kur filluam në 2027-n.

Është një plan shumë ambicioz por është një mundësi ambicioze për ne pasi janë rreshtuar yjet në një farë mënyre dhe Bashkimi Evropian si asnjëherë më parë në memorien time është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të rinj por natyrisht bazuar në merita dhe në rezultate”, theksoi kryeministri Rama.

Rama vuri në dukje se Bashkimi Evropian sot “është në gatishmërinë më të lartë për të pranuar anëtarë të tjerë sepse edhe konteksti gjeopolitik është i tillë”

Për këtë arsye, Rama ftoi edhe vendet e tjera të rajonit “që të mos e humbasin këtë moment që historia na e ka sjellë te dera”.

“Aspekti tjetër për të cilën folëm me presidentin është ecuria në tërësi e rajonit sepse edhe kjo është e lidhur pse Bashkimi Evropian sot është në gatishmërinë më të lartë për të pranuar anëtarë të tjerë sepse edhe konteksti gjeopolitik është i tillë.

Dua të përfitoj nga rasti edhe sot, por edhe nesër do të jetë pjesë e diskutimit që t’i ftoj të gjithë kolegët e rajonit që të mos e humbasin këtë moment që historia na e ka sjellë te dera.

Dhe ta shfrytëzojmë maksimalimisht këtë gatishmëri të BE-së pa harruar që historia ka treguar gjatë gjithë këtyre viteve që procesi i zgjerimit mund të shpejtohet në një moment dhe mund të ngadalësohet për shumë vite”, deklaroi kreu i qeverisë./rtsh