Komuniteti serb në Kosovë po jeton në një gjendje të vazhdueshme tensioni, si pasojë e mungesës së gatishmërisë së udhëheqësve në Serbi dhe Kosovë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe përballë një qeverie në Prishtinë që nuk i merr parasysh shqetësimet e tyre, thotë drejtuesja e Nismës së Re Shoqërore, një organizatë serbe e shoqërisë civile nga Mitrovica e Veriut në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Jovana Radosavleviç tha se qeveria e Kosovës nuk po dëgjon shqetësimet e tyre dhe se kjo qasje po rrit ndikimin e Beogradit tek serbët e Kosovës. Të vënë në mes ndjenjës së tradhtisë nga Beogradi dhe armiqësisë nga Prishtina, siç thotë ajo, serbët e Kosovës nuk i besojnë procesit të dialogut dhe mendojnë se se do të jenë humbës pavarësisht rezultatit.
Zëri i Amerikës: Dua t’iu pyes mbi gjendjen në Kosovë për komunitetin tuaj, komunitetin serb që jeton atje.
Jovana Radosavleviç: Fatkeqësisht, më duhet të them se gjendja nuk ka qenë e mirë, në fakt larg nga të qenurit e mirë. Tre vitet e fundit ishin të trazuara, me një gjendje të vazhdueshme tensioni, krizë pas krize, pa ndonjë zgjidhje, që vjen kryesisht si pasojëe veprimeve, apo mungesës së reagimit të institucioneve të Kosovës ndaj komunitetit serb dhe zbatimit të politikave që nuk morën në konsideratë nevojat e komuniteteve dhe ndikimit që do të kenë në jetën e tyre.
Aktualisht kemi një mungesë të plotë besimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, që për pasojë ndikon në marrëdhëniet e përgjithshme ndëretnike, për të cilën ndjej keqardhje nga perspektiva e shoqërisë civile të cilën e përfaqësoj dhe duke qenë pjesë e proceseve për të cilat kemi qënë dëshmitarë të ndryshimeve pozitive dhe procesit të pajtimit mes dy komuniteteve.
Kjo është pasojë edhe e mungesës së qëndrimeve konstruktive dhe gadishmërisë nga dy udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë, për të gjetur një gjuhë të përbashkët për të normalizuar marrëdhëniet, në vend të asaj që kemi parë, deklaratave dhe veprimeve mjaft destruktive, që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve.
Pra, situata është e zymtë. Komuniteti serb në Kosovë ka një ndjenjë mosbesimi ndaj institucioneve. Do të citoja qytetarët e zakonshëm, që tani thonë se ndihen si nën pushtim për shkak të pranisë së njësive speciale të policisë dhe që nuk reflekton përbërjen etnike të popullatës, por edhe sa i përket çështjeve të tjera, siç është ndalimi i mallrave nga Serbia, vendimit të BQK-së për dinarin, që po ndikojnë në jetën e pëditshme të njerëzve dhe përshtypjen e tyre për situatën e sigurisë, por edhe ndjenjën e zhveshjes nga dinjiteti në këtë situatë.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi konkret ka patur vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin tek banorët serbë në Kosovë?
Jovana Radosavleviç: Ky vendim ishte i papritur. Çështja e valutës duhej të zgjidhej në kuadër të procesit të krijimit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe dhe jo të ndodhte paraprakisht.
Meqë erdhi si befasi, fillimisht askush nuk e kuptoi se çfarë do të thoshte dhe meqë në Kosovë nuk ekziston asnjë bankë e liçensuar që operon me dinarin, kjo krijoi pengesa shtesë për komunitetin serb. Që nga 1 shkurti, njerëzit nuk kanë qasje tek të ardhurat e tyre në territorin e Kosovës. Janë të detyruar të udhëtojnë deri në Serbinë qendrore për të tërhequr fondet e tyre.
Ka edhe pasoja tjera. Krahas ndalimit të mallrave nga Serbia, bizneset lokale po ashtu janë dëmtuar shumë. Njerëzit tani nuk po i marrin paratë në Kosovë dhe nuk po i shpenzojnë ato në Kosovë. Në fakt shkojnë në pjesën qendrore të Serbisë, ku tërheqin paratë, ku bëjnë edhe blerjet, shkëmbejnë paratë në euro, kthehen dhe nuk i shpenzojnë ato. Në këtë formë, ka pasoja jodirekte për qëndrueshmërinë ekonomike të komunitetit, në cilësinë e jetesës, sidomos nga perspektiva e një personi me aftësi të kufizuara, apo e një të moshuari apo e atyre që marrin ndihmë sociale prej 11 mijë dinarësh, diçka më pak se 100 euro. Tani një person nga Gorazhdevci duhet të udhëtojë fizikisht në pjesën qendrore të Serbisë për të marrë paratë. Praktikisht derisa të shkojnë atje e të kthehen, nuk do t’iu mbesin më para.
Pra, ka patur ndikim në pjesët më të ndjeshme të shoqërisë, pasi Kosova nuk u siguroi një alternativë apo një periudhë tranzicioni për t’iu mundësuar njerëzve të përshtateshin para marrjes së vendimit.
Kosova dështoi ta siguronte një zgjidhje të tillë. Kjo është çështja kryesore ngase në fund të fundit, është fatkeqësi të shohim mungesën e përparimit në bisedimet në Bruksel për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve. Në afat të gjatë, do të ndikojë tek institucionet dhe funksionimin e tyre në territorin e Kosovës, që janë në fakt në shumicën e rasteve të vetmit ofrues të shërbimeve për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera jo shumicë.
Bazuar në deklaratën (e të mërkurës) së zotit Escobar, është hedhur një ide si zgjidhje, të cilën palët ende nuk e kanë pranuar, që ka të bëjë me krijimin e një sistemi privat elektronik, që unë e kuptoj si liçencim të një banke private për të operuar me dinarin. Një formë tjetër, mund të ishte përmes Bankës Postare të Kursimeve, që është kompani publike, një bankë publike kursimesh në sistemin serb, që të liçencohet për të operuar në Kosovë. Zgjidhja duhet të jetë e shpejtë pasi kanë kaluar katër muaj dhe njerëzve ju duhet një rrugëdalje nga kjo situatë.
Zëri i Amerikës: Ju thatë se është thelluar mosbesimi ndërmjet qeverisë dhe komunitetit serb në Kosovë. Cili është vlerësimi juaj për masat që qeveria ka ndërmarrë për t’u angazhuar me komunitetin serb?
Jovana Radosavleviç: Si shoqëri civile, ne kemi qenë të angazhuar ndër vite, por kemi qenë edhe më aktivë me qeverinë aktuale në Prishtinë dhe me të vërtetë jemi munduar t’i shprehim shqetësimet tona dhe t’i identifikojmë problemet e caktuara administrative dhe pengesat e tjera me të cilat po ballafaqohet komuniteti, duke propozuar zgjidhje. Ka katër vjet që kur u vendosën masat e reciprocitetit, procedurat e regjistrimit të targave të makinave, që kemi kërkuar dhe që kemi theksuar mungesën e një zgjidhjeje sa i përket patentave të shoferit. Ky vendim hyri në fuqi vetëm disa ditë më parë.
Zëri ynë nuk është dëgjuar. Shumë shqetësime janë shprehur nga shoqëria civile e komunitetit serb. Kemi patur shumë raste për të biseduar me zyrtarët e lartë qeveritarë, zakonisht në takime të organizuara me nismën e bashkësisë ndërkombëtare, për të cilat ndjesia ishte se po bëhen për shfaqje, për të treguar se po flasim, por fatkeqësisht pa u dhënë përgjigje shqetësimeve tona. Ndërkohë problemet u shtuan. Kanali ynë kryesor i komunikimit me institucionet qeveritare në këtë pikë është bashkësia ndërkombëtare, për të cilën më duhet të them se e kupton situatën në terren. (Për shembull), deklarata e Zv/ndihmës sekretarit amerikan Escobar, sipas së cilit marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve janë në pikën më të ulët në historinë e tyre për shkak të mënyrës se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë. Është një çështje që duhet ta shqyrtojmë dhe të gjejmë zgjidhje për ta kapërcyer.
Zëri i Amerikës: Çfarë duhet bërë që serbët e Kosovës ta perceptojnë Kosovën si shtetin e tyre në këtë pikë?
Jovana Radosavleviç: Është një pyetje e ndërlikuar dhe e vështirë për t’iu përgjigjur. Në këto rrethana, rruga përpara do të ishte që serbët e Kosovës të ndihen të respektuar dhe pjesë e shoqërisë. Ekziston përshtypja se qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaft në drejtim të integrimit kuptimplotë të këtij komuniteti, sidomos përsa i përket qeverisë aktuale. Të krijohet përshtypja që veprimet e saj të çojnë në integrim të detyruar dhe të imponuar dhe jo duke marrë parasysh nevojat dhe shqetësimet e tyre. Dhe shembulli më i mirë për këtë është çështja që e përmenda me targat e makinave dhe patentat.
Ne duam ta shohim qeverinë të marrë në konsideratë pengesat me të cilat po përballen komunitetet dhe të gjejë mënyra për t’i zgjidhur ato, t’ua bëjë jetën më të lehtë dhe jo më të ndërlikuar dhe më të vështirë. Nëse jeta e tyre është më e vështirë, atëherë edhe perceptimi i tyre për pasigurinë rritet, nëse ata mendojnë që nuk mund të përparojnë apo të bëjnë një jetë të qetë, atëherë do të largohen. Në kushtet kur ata ndjejnë armiqësi nga institucionet e Kosovës por edhe të tradhtuar nga institucionet e Serbisë, ata do të vazhdojnë të anojnë nga Beogradi dhe kjo është e natyrshme. Mendoj se Kosova po e shtyn komunitetin serb edhe më shumë në drejtim të Beogradit dhe po fuqizon më shumë ndikimin e Beogradit në radhët e komunitetit serb. Ata serbë që braktisën institucionet e Kosovës me 5 nëntor të 2022, përfunduan të punësuar tani në sistemin e Serbisë. Beogradi dhe partitë e mbështetura nga Beogradi do të kenë një bazë të rritur votuesish nëse marrin pjesë në procesin politik.
Është përgjegjësi e Kosovës, në këtë aspekt, të tregojë vullnet të mirë dhe të ndërmarrë masa për ndërtimin e besimit për të shtensionuar atë që është përshkallëzuar dhe të mundohet të riparojë këtë pak besim që ka mbetur në mënyrë që komuniteti të ndihet pjesë e barabartë e shoqërisë. Këtu duhet filluar dhe kjo duhet mbështetur me një teori më gjithpërfshirëse dhe pozitive nga udhëheqja. Nuk ndihmon nëse kemi një zhvillim shumë pozitiv siç ishte ai i targave, por mesazhi që përcjell kryeministri është se kjo po bëhet për të hequr patentat e jashtëligjshme. Kjo krijon menjëherë një lloj armiqësie brenda komunitetit. Mund të ishte bërë në një formë më konstruktive.
Zëri i Amerikës: Cili është roli i Beogradit? Ju thoni se ai është një prej palëve të interesuara, por cili ka qenë roli i tij përballë gjendjes së serbëve të Kosovës?
Jovana Radosavleviç: Roli i Beogradit është shumë i rëndësishëm. Përtej ndjenjës së natyrshme identitare të serbëve të Kosovës me Republikën e Serbisë, ekziston lidhja në aspektin shoqëror, personal e kulturor, por edhe në elementin ekonomik. Serbia për ironi, është arsyeja kryesore që ne kemi një Kosovë multietnike sot. Serbia është ofruesi kryesor i vendeve të punës për serbët e Kosovës në territorin e Kosovës përmes sistemit shëndetësor, përmes sistemit arsimor dhe shërbimeve të tjera, por edhe faktit që Serbia ofron edhe përfitime të tjera përmes sistemit serb që po e mban komunitetin shumë fortë të lidhur me të. Serbët e Kosovës natyrshëm anojnë nga Beogradi dhe presin nga Beogradi t’i mbrojë. Në këtë drejtim, është një marrëdhënie e ndërlikuar dhe vartësie. Nga ana e Kosovës mendoj se është më të vërtetë e nevojshme të ndryshojë qasjen dhe të tregojë gatishmëri duke ndërmarrë hapa për një intergrim më kuptimplotë të komunitetit, jo përmes qasjeve deklarative dhe integrimit të territorit, por përmes hapave për të integruar në mënyrë kuptimplotë njerëzit në sistemin e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Ndërkaq politikisht, cili është roli i Beogradit ndaj serbëve të Kosovës? Presidenti serb Vuçiç shpesh i referohet një komuniteti serb nën trysni. A është ky vlerësimi juaj?
Jovana Radosavleviç: Beogradi ka ndikim të madh ndaj komunitetit serb, por nga perspektiva e komunitetit serb kjo është e natyrshme. Nëse e marrim shembullin e fundit të bojkotimit të procesit zgjedhor për zëvendësimin e kryebashkiakëve në katër komunat në pjesën veriore, Beogradi nuk ka patur nevojë të ndërmarrë ndonjë veprim. Beogradit do t’i duhej të bënte trysni ndaj serbëve të Kosovës nëse do të dëshironte që serbët e Kosovës të merrnin pjesën në këtë proces, por serbët e Kosovës, në këtë pikë, hezitojnë të marrin pjesë në proceset e institucioneve të Kosovës. U ndien të keqtrajtuar, i braktisën institucionet, kishin një mori kërkesash sa i përket themelimit të Asociacionit, pranisë së policisë speciale dhe ndërkohë ndodhën probleme tjera. Nga ky këndvështrim, njërzit nuk besojnë që reintegrimi do t’i zgjidhë problemet e tyre. Prandaj Beogradi nuk kishte nevojë t’u thoshte ‘mos e bëni’. Nëse Beogradit do t’i interesonte që serbët e Kosovës të merrnin pjesë në proceset politike, atëherë do të shihnim trysni ndaj serbëve të Kosovës. Dhe nuk mendoj se do të ishte i të njëjtës peshë si herëve të kaluara. Mendoj se ka shumë faktorë që çuan deri aty. Shumë serbë të Kosovës janë përballë vendimit a të reintegrohen, apo të largohen përgjithmonë nga Kosova? Tani mbetet të gjejmë mënyrën se si ta kapërcejmë këtë në mënyrë që serbët e shqiptarët, të mos largohen nga Kosova në këtë shkallë, ndonëse motivet e tyre për migrim janë të ndryshme.
Zëri i Amerikës: Vëzhguesit së fundmi po thonë që nuk ka trysni nga serbët e Kosovës për krijimin e Asociacionit. Cili është mendimi juaj?
Jovana Radosavleviç: Deri në një masë ka, por mendoj se duhet thënë se po përjetojmë një boshllëk serioz udhëheqjeje krahas boshllëkut institucional në të cilin po jetojnë serbët e Kosovës. Në këtë boshllëk udhëheqjeje, kemi Listën Serbe, partinë kryesore që përfaqëson komunitetin serb në nivelin qendror dhe lokal, që është kryesisht e heshtur. Pastaj kemi daljen në skenë të opozitës së serbëve të Kosovës, që kanë qenë të zëshëm për çështje të caktuara. Por mendoj se përqëndrimi kryesor i tyre është t’u japin përgjigje krizave aktuale dhe çështjeve të menjëhershme që janë konkrete sepse të gjithë janë të vetëdijshëm se të gjitha palët po hezitojnë për të avancuar Asociacionin ngaqë ai nënkupton konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës, siç shihet nga perspektiva e serbëve, përmbylljen e kapitullit sa i përket integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës. Por nga ana e Kosovës, kjo qeveri seriozisht heziton të hedhë hapa, duke marr parasysh që partia në pushtet ishte protagoniste kryesore kundër themelimit të Asociacionit dhe i dha formë teorisë se bëhet fjalë për një Republikë Serbe të re, si faktor përçarës për shtetin e Kosovës e kështu me radhë.
Nga perspektiva e komunitetit serb të Kosovës, është e vështirë të kuptohet se çfarë në fakt është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Është një organ jo shumë konkret dhe çfarë duhet të përfaqësojë ai. Por ekziston një ide e përgjithshme se çfarë është – bëhet fjalë për një institucion të Kosovës, që do të përkujdeset për vazhdimësinë e shërbimeve… dhe që kjo vazhdimësi të sigurohet përmes Asociacionit me fondet që vijnë nga Serbia dhe këto shërbime të kalojnë përmes institucioneve të Kosovës, në formë të centralizuar dhe transparente.
Konsideroj që shoqëria kosovare përfiton nga kjo; pasi konsolidon Kosovën, arrin integrimin e plotë, si transparencën për këto procese.
Komuniteti vendas është shumë mosbesues ndaj tërë këtij procesi në nivelin politik. Siç e thashë, (serbët) ndihen pezull mes ndjenjës së tradhtisë nga Beogradi dhe armiqësisë nga Prishtina. Nuk i besojnë askujt. Përshtypja e tyre është se cilido që të jetë rezultati, ata do të jenë humbës. Në një mënyrë, i kuptoj sepse mendojnë se gjithmonë është bërë fjalë për territorin, për intergimin e institucioneve dhe jo gjetjes së mënyrës për t’i integruar njerëzit dhe mendoj se ky është problemi kryesor me të cilin po përballemi./voa