Blog Post

Arbëria TV > Featured > Radoiçiqi mohon akuzat për sulmin terrorist në veri

Radoiçiqi mohon akuzat për sulmin terrorist në veri

Krimineli serb, Milan Radoiçiq është marrë në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me dyshimin se ka kryer vepra penale me disa persona të panjohur, komplot për kryerjen e veprave kriminale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Radoiçiq mohoi kryerjen e veprave penale që i ngarkoheshin gjatë seancës, raporton mediumi serb rts transmeton Arbresh.info.

Pas seancës, prokuroria i propozoi gjyqtarit për procedurë paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes.

Urdhri për kryerjen e hetimeve përfshin disa persona të panjohur për momentin, të cilët akuzohen për veprën penale të krimeve të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Sipas urdhrit të hetimit, Radoiçiq akuzohet se nga muaji janar deri më 24 shtator të këtij viti ka blerë armë, municion dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Siç thuhet, armët i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, më së shpeshti në rrugën Bubanj Potok – Vërçin, dhe më pas i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyjet.

/TV Arbëria