Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet të hënën e 27 shkurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut në Bruksel, takim ky që do të përqendrohet në propozimin evropian për një normalizim mes marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ndonëse Kurti dhe Vuçiq mund ta pranojnë zyrtarisht propozimin evropian për të vazhduar dialogun për planin e zbatimit, ku përfshihen edhe 31 marrëveshjet e arritura në Bruksel, e ku bën pjesë edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, qytetarët kanë mendime të ndryshme rreth dakordimit të Kurtit dhe Vuçiqit.
Reshat Salihu thotë se edhe në kohën e okupimit kemi pasur, bisedime por kurrë nuk kemi arritur sukses.
Salihu: Nuk besojë se do ketë marrëveshje, edhe më parë kemi tentuar të kemi por pa sukses
“Nuk besoj se do të ketë marrëveshje, mirëpo në qoftë se detyrohet të nënshkruajë atë asociacionin, ai duhet ta shikojë, sepse nuk mund të jetë se siç mendojnë ata. Kosova është shumë e vogël për të dhënë territor. Mjaftë na kanë bërë dëm ata, kështu që nëse ka marrëveshje nuk duhet të lëshohet pe. Kurti të shkojë, të shikojë që të bëjë një asociacion, por prapë në kuadër të Kosovës, jo të bëhen si serbët… Shpresojë të jetë një marrëveshje edhe pse zor. Edhe në kohën e okupimit kemi pas marrëveshje, bisedime dhe kurrë nuk kemi arritur sukses, kështu që çdogjë që bëhet, duhet të bëhet në favor të Kosovës”, tha Salihu.
Mendim të njëjtë pati edhe qytetari, Ismail Mustafa. Ai tha se kurrsesi nuk beson që do arrihet një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.
Mustafa: Nuk presim asgjë pozitive nga Vuçiq
“Sa i përket Kurtit dhe Vuçiqit, që kemi për të pritur diçka, unë e di që Vuçiqi vetëm po vëzhgon me ndërkombëtarët qysh ta kalojnë, veç qysh ta kalojnë kohën dhe ta hanë kohën, kështu që nuk kemi diçka pritje të jashtëzakonshme dhe pozitive, prej Vuçiqit, kurse për Kurtin ne e dimë të gjithë që i ka marrë qëndrimet e veta dhe tash po mundohet që ato gabimet të t’kaluarëve, opozitarëve që kanë qenë… Nuk e besoj me qëndrimet e Kurtit. Kurti i ka qëndrimet parimore që nuk “lëshon pe”, në ato pikat e veta. Mirëpo tash, sa i përket trysnisë euro-amerikane, i dimë ne ato gjëra, i dinë dhe Kurti, kështu që nuk ma merr mendja kurrsesi”, u shpreh Mustafa.
Faik Krasniqi shprehet se amerikanët e kanë në dorë këtë punë, andaj duhet të zhvillohet diçka mes këtij takimi. Gjithashtu, ai nuk la pa përmendur Serbinë dhe dëmet e saj karshi popullit të Kosovës.
Krasniqi: Çfarë të thotë Amerika duhet të bëhet, ndryshe nuk kanë zgjedhje
“Ka dhënë fjalën ky (Kurti), që sesionet mos të jenë këtu dhe ky duhet t’i mbajë tash ato. Domethënë ia kanë sjell kulaçin këta amerikanët dhe të gjithë, andej dhe ky nuk ka zgjedhje pa vepruar diçka… Nuk ka zgjedhje, çfarë të thotë Amerika duhet të bëhet, dhe nuk ka qare pa u bërë diçka. Ne nuk jemi të kënaqur. Pse? Sot jemi por nesër çfarë bën “shkau”. Ai nuk të len rehat kurrë, sa të jemi këtu, kurrë rehat nuk do na lë, sepse “shkau” i ka futur hundët këtu… Ku është liria këtu, ne nuk kemi liri, ku është liria në Mitrovicë, në kufi. Ushtrinë nuk e kemi, nuk guxojmë ta dërgojmë ushtrinë në Mitrovicë, pra ku është liria”, tha ai.
Ndërkaq, qytetarët Zymer Maxharri dhe Azem Grajqevci, patën mendim të kundërt. Ata u shprehën se po presin marrëveshje mes tyre, por nëse përmendet “Zajednica”, duhet të ketë reagime të mëdha lidhur me këtë çështje.
Ndër të tjera, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se shefi i politikës së Jashtme të bllokut, Josep Borrell ka ftuar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 27 shkurt.
Ky takim, do të përqendrohet në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
/TV Arbëria