Qytetarët në vend nuk presin shumë rezultate nga takimi i kryeministri Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Disa të intervistuar, thanë se është shumë vështirë që marrëveshja të nënshkruhet pasi ajo është duke u kundërshtuar nga Serbia.
Qytetari Izet Zhuja tha se Serbia është në hall sepse nëse në Kosovë krijohet Asociacioni, e njëjta gjë do t’i kërkohet edhe asaj që të krijojë për pakicat të cilat jetojnë atje.
Ai tha se Serbia nuk është e interesuar që të zgjidhë problemin me Kosovën pasi sipas tij ajo është duke përfituar nga kjo situatë.
“Serbia është shumë e komplikuar në këtë moment, janë shumë ngjarje në Serbi që janë duke u zhvilluar në kohën e fundit pro dhe kundër Vuçiqit, pro dhe kundër Asociacionit sepse edhe Serbia është në hall. Nëse Kosova e bënë Asociacionin edhe katër pjesë të popujve të tjerë janë në Serbi që janë duke e kërkuar të njëjtën gjë. Ai duke mos ditur se çka të bëjë është duke deklaruar se nuk e nënshkruaj, vetëm që të blej kohë e të harxhoj kohë sa më shumë që të mos zgjidhet çështja e Kosovës. Nuk ju intereson zgjidhja. Nëse Kosova stabilizohet ata do të humbin, sepse Kosova do të varet nga forcat e veta dhe të tjerëve. Ata janë duke e shfrytëzuar Kosovën sepse Kosova është duke blerë gjëra ushqimore, ndërtimore lloj, lloj mallrash deri 1 miliard e gjysmë. Kështu që Serbisë nuk i konvenon që të nënshkruaj, unë nuk besoj që kanë me e nënshkruar. Edhe nëse nënshkruhet do të duhet kohë derisa ta njohë Serbia Kosovën”, tha ai.
Qytetari Sabri Rexha, tha se nuk beson që në takimin e 18 marsit të nënshkruhet por që në atë takim do të merren vesh për format e zbatimit.
“Nuk e besoj këtë herë as që do të nënshkruhet, ndoshta do të merren vesh për ato të themi format e zbatimit e të tjera. Por se do ta nënshkruajnë në bazë të asaj që thotë Vuçiqi se pa e formuar Asociacionin, këta ende nuk kanë formuar një statut për Asociacionin. Besoj që as njëri nuk është i interesuar që të nënshkruaj, por ta shtyjnë. Shpresojmë që presioni ndërkombëtar e bën të vetën edhe pranojnë. Populli të gjithë jemi lodhur jo vetëm nga ekonomia por edhe nga këto ofertat politike që po ofrohen, jo ka zgjedhje, jo s’ka”, tha ai.
E qytetari Sali Puzhegu tha se Serbinë është shumë vështirë të arrihet marrëveshje, por që kjo mund të bëhet vetëm me presionin ndërkombëtar.
“Me Serbinë është shumë vështirë që të merremi vesh, ata janë njerëz që kurrë nuk e mbajnë fjalën. Ai Vuçiqi atë ditë e pranoj atë, kur u kthye në Beograd tha jo nuk e pranoj pa u formua Asociacioni. Kështu që Kurti është i vendosur, e ka pranuar ai edhe herën e kaluar; ka thënë se është i gatshëm që ta nënshkruajë. Me serbët është shumë vështirë, besoj që ka me u arrit se presioni ndërkombëtar është shumë i madh”.
/TV Arbëria