Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Qytetarët ankohen për fatura të larta të rrymës, nëntori shënon rritje të ndjeshme të kostove

Qytetarët ankohen për fatura të larta të rrymës, nëntori shënon rritje të ndjeshme të kostove

Qindra qytetarë në Kosovë kanë reaguar në rrjetet sociale lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike që u kanë mbërritur për muajin nëntor, duke shprehur pakënaqësi për rritjen e ndjeshme të çmimeve krahasuar me muajt paraprakë.

Ankesat vijnë në një kohë kur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar rekordet e mëparshme, duke u bërë thirrje qytetarëve për kursim të rrymës. Paralelisht, disa komuna të Kosovës kanë raportuar reduktime të energjisë elektrike që zgjasin disa orë gjatë ditës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë të ditur se tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat parashohin shtrenjtim, kanë hyrë në fuqi që nga 1 maji. Megjithatë, ZRRE-ja nuk ka ofruar sqarime konkrete se përse faturat e këtij muaji janë dukshëm më të larta për një pjesë të madhe të konsumatorëve.

Në rrjetet sociale janë publikuar raste konkrete të qytetarëve që raportojnë rritje të papritur të faturave. Një qytetar ka bërë të ditur se fatura e energjisë elektrike i ka mbërritur në vlerë prej 140 euro, ndërsa për të njëjtin konsum muajin e kaluar kishte paguar rreth 50 euro më pak. Një tjetër qytetar ka deklaruar se fatura e tij është rritur nga 175 euro në 388 euro brenda një muaji.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë ka qenë më e theksuar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e familjeve dhe bizneseve. Kjo situatë po shoqërohet edhe me reduktime të energjisë elektrike, të cilat kanë prekur shumë komuna gjatë vitit 2024.

Kosova vazhdon të përballet me mungesë të prodhimit vendor të energjisë elektrike, për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat nuk arrijnë të mbulojnë nevojat për mbi 1.6 milionë banorë. Edhe pse ka prodhim nga burimet e ripërtëritshme, ai mbetet i pamjaftueshëm, duke e detyruar vendin të importojë energji elektrike me kosto të lartë.