Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Quni e konsideron “vërejtje serioze” deklaratën e Macronit për vizat

Quni e konsideron “vërejtje serioze” deklaratën e Macronit për vizat

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën e ka quajtur “vërejtje serioze” teksa e ka konsideruar si formë të butë të kërcënimit.

Quni në RTV Dukagjini ka thënë se është shqetësuese kjo deklaratë derisa ekziston një “opsion i hapur për pezullim të vizave” që do të thotë se varet nga performanca dhe mbajtja e fjalës nga Qeveria e Kosovës.

“Vërejtje serioze për qeverinë e Kosovës dhe nëse bëhet pësojnë qytetarët. Kjo deklaratë është forma më e butë e tërheqjes së vërejtjes, kemi marrë vërejtje më të ashpra nga ndërkombëtarët, tani kemi edhe një paralajmërim”, ka thënë Quni.

Sipas Qunit, në nivelet diplomatike është ndërtuar standardi se çdo gjë para se të materializohet duhet të paraprihet nga një bisedë dhe për këtë arsye siç thotë ai ka qenë edhe deklarata e Macronit për “mosmbajtje të fjalës”.

“Në nivelet diplomatike është ndërtuar standardi se çdo gjë para se të materializohet duhet të paraprihet nga një bisedë. Nëse nuk ka një qëndrueshmëri në atë që është premtuar, rrugës krijohen konfuzitete, mëdyshje deri në qëndrimet e kundërta me ato që janë deklaruar”, ka theksuar Quni.

Ndërsa sa i përket edhe dialogut Kosovë – Serbi që u permend edhe gjatë konferencës së presidentit francez, Emmanuel Macron, Quni ka thënë se Kosova është në avantazh që prej sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Përkundër asaj që ka ndodhë më 24 shtator, çdo mosmarrëveshje do duhej të zgjidhej në tavolinë. Kosova ka një avantazh më të mirë në tavolinë pas sulmit të 24 shtatorit”, ka thënë Quni.

/TV Arbëria

Powered by WordPress