Përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kanë shkuar të premten në Ministrinë e Bujqësisë, ku kanë dorëzuar kërkesat e tyre dhe kanë kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja.
Shoqata kërkon kthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit, ndërsa nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kërkon një komunikatë zyrtare përmes së cilës do të konfirmohej siguria e produkteve të industrisë vendore.
Ndër kërkesat e tyre është edhe anulimi i vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414, të nxjerrë nga ministri në detyrë, Armend Muja, si dhe ndërmarrja e masave nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për adresimin e çmimeve që kjo shoqatë i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.
Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës, Gani Durmishaj, ka bërë të ditur se kërkesat janë dorëzuar edhe me shkrim.