Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Shëndetësi > QKUK-ja pajiset me aparaturë SPECT/CT/PET

QKUK-ja pajiset me aparaturë SPECT/CT/PET

Klinika e Mjekësisë Bërthamore në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës është pajisur me aparaturën SPECT/CT/PET. Për këtë shërbim, më pacientët nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë në shtetet tjera, pasi të njëjtin do ta marrin falas në Kosovë.

Nga shtetet e rajonit, Kosova do të jetë shteti i vetëm që do të ketë këtë pajisje, për çka nga e njëjta do të marrin shërbime jo vetëm qytetarët e vendit por edhe ata të shteteve tjera.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar këtë donacion si rilindje për sektorin e shëndetësisë.

“Sot është një ditë e sukseseve të jashtëzakonshme për sektorin e shëndetësisë. Kjo ditë është një mundësi që t’i festojmë partneritetet tona që dëshmojnë ndikimin e solidaritetit njerëzor. Ne sot shënojmë së bashku një moment historik pasi përurojmë pajisjen mjekësore SPECT/CT/PET në Klinikën e Mjekësisë Bërthamore”, ka deklaruar Osmani.

“Kjo teknologji e avancuar nuk është thjeshtë një aparaturë shtesë por një rilindje për sektorin shëndetësor, duke ofruar mundësi trajtimi që deri më tani qytetarët tanë është dashur të udhëtojnë në rajon e më tej. Kjo është një rikthim i dinjitetit për pacientët dhe familjet e tyre. Kjo do të jetë e vetmja pajisje në rajon, e cila do të ofrojë shërbime edhe për qytetarët e rajonit”, tha presidentja Vjosa Osmani.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka cilësuar si shpresë për qytetarët këtë donacion.

“Janë mbi 300 qytetarë që brenda vitit kanë shkuar duke kërkuar jashtë vendit duke kërkuar për këtë lloj diagnostikimi. Në çdo skanim që do të bëhet me këtë aparaturë moderne, e vetmja në rajon në shëndetësinë publike, do të sjellë shpresë në detektimin e hershëm dhe trajtimin adekuat, duke shpëtuar edhe shumë jetë”, ka deklaruar i pari i shëndetësisë.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, në cilësinë e themelueses së Fondacionit Jahjaga, përmes së cilës u mundësua edhe marrëveshja me “Alwaleed Philanthropies”, tha se kështu do të rritet edhe standardi i shërbimeve shëndetësore.

“Ofrimi i këtij shërbimi do të reduktojë edhe ngarkesën financiare të sistemit tonë të shëndetësisë, duke mundësuar që fondet e kursyera të ndahen në fushat e tjera të shëndetit”, tha ajo.

Powered by WordPress