Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Qeveria zgjedh heshtjen përballë mundësisë së shtrenjtimit të rrymës

Qeveria zgjedh heshtjen përballë mundësisë së shtrenjtimit të rrymës

Shqetësimit që tek qytetarët ka shkaktuar lajmi se mund të shtrenjtohet energjia elektrike, nuk i është përgjigjur Qeveria.

Zyrtarët qeveritarë nuk e kanë parë të arsyeshme të flasin për kërkesat që qëndrojnë në sirtarin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Televizioni Dukagjini gjatë ditës ka kërkuar një koment të Kryeministrit lidhur me kërkesat e KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-s, por pa sukses.

Ministria të cilën e udhëheqë Artane Rizvanolli, ajo e Ekonomisë ka zgjedhur të na tregoj se si funksionon ZRRE-ja, në vend se të japë një qëndrim për mundësinë e shtrenjtimit të rrymës.

“Rregullatori i Energjisë (ZRRE) është institucion i pavarur i cili ushtron kompetencat për rregullim të sektorit të energjisë dhe bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të energjisë elektrike. Lidhur me çështjen për të cilën keni shtruar pyetje, ju lutem drejtojuni komunikatës së fundit të lëshuar nga ZRRE”, thuhet nga ana e Ministrisë së Ekonomisë.

Qeveritarët citojnë saktë ligjin kur thonë se ZRRE-ja, të paktën me “letra”, është institucion i pavarur, por në përgjigjen e tyre harrojnë të cekin se anëtarët  e Bordit dhe Kryesuesi zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.

Pikërisht, shefi aktual i Bordit, Ymer Fejzullahu, më 2 gusht 2021, në Kuvendin ku shumicë ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, është votuar për këtë pozitë.

E, kur është fjala për komunikatën e lëshuar nga ZRRE, ajo pretendon se po spekulohet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

“…Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sqaron edhe një herë opinionin publik se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energjisë (ZRRE), në përputhje me kërkesat ligjore. Aplikimet janë publikuar në faqen elektronike të ZRRE-së, ashtu siç janë pranuar, dhe mund të konsultohen nga publiku…”.

Në komunikatën me pesë paragrafe, me asnjë argumentim, askund nuk vihen në dyshim raportimet e mediave se është kërkuar shtrenjtimi i rrymës, por shpjegohen procedurat, të cilat sigurisht janë të zakonshme dhe kanë ndodhur para çdo vendimi për shtrenjtim të rrymës.