Qeveria e Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të mijëra jetëve të humbura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Kryeministri Albin Kurti, tha se mbi bazën e kapaciteteve do t’i ndihmojnë dy vendet. Kurti tha se njësitet e kërkim-shpëtimit të Kosovës tashmë janë në Turqi.
Kurti: Mbi bazën e kapaciteteve tona, do të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie
“Jemi të tronditur nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë, me pasoja jashtëzakonisht të mëdha, me më shumë se 8700 jetë të humbura tragjikisht. Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, të cilët humbën më të dashurit e tyre. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë. Republika e Kosovës dhe populli i saj janë pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk, në gatishmërinë më të lartë për mbështetje. Mbi bazën e kapaciteteve tona, do të ndihmojmë në tejkalimin e kësaj tragjedie. Kontigjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, specialistët tanë në kërkim-shpëtim urban, mjekësi emergjent, dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti, në ndihmë të institucioneve të Turqisë dhe popullit turk. Në shenjë solidarizimi dhe nderimi me Republikën e Turqisë, dita e sotme në Kosovë, është ditë zie shtetërore. Ju ftoj për një minutë heshtje në nderim të mijëra jetëve të humbura tragjikisht në Turqi dhe Siri. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka thënë Kurti.
Në shenjë solidarizimi dhe nderimi me Republikën e Turqisë, dita e sotme në Kosovë, është ditë zie shtetërore. /TV Arbëria