Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Qeveria në pritje të vendimit të ZRrE-së për tarifat e energjisë elektrike

Qeveria në pritje të vendimit të ZRrE-së për tarifat e energjisë elektrike

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se janë në pritje të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për tarifat e energjisë elektrike.

Derisa ka shtuar se pavarësisht se nuk i ndërhynë institucioneve të pavarura shtetërore si puna e ZRRE-së, është zotuar se do të bëjë të pamundurën që ta lehtësojë qytetareve barrën sa i përket çmimeve të përballueshme me energji elektrike.

I pyetur nga mediet nëse do të ketë subvencionime nga qeveria për të mos lejuar rritje të tarifave të energjisë elektrike, Kurti tha se nuk mund të flasin nëse do të subvencionojnë rritjen e mundshme të rrymës dhe se pas dorëzimit të komenteve të tyre janë në pritje të vendimit.

Kurti: Presim vendimin e KEK-ut, Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave për masat me energjinë

“Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministrat e linjës kanë komunikuar dhe janë dakorduar dhe i kanë dhënë sugjerimet e tyre ZRRE-së, natyrisht gjithmonë në bashkëpunim edhe me KEK-un. Pra, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transferove dhe KEK-u përbëjnë trekëndëshin, i cili është përgjegjës dhe angazhohet më shumë se gjithë të tjerët sa i përket sektorit të energjisë, e në veçanti edhe sa i përket çmimeve të energjisë elektrike. Ata i kanë dorëzuar komentet Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe tash presim qëndrimin dhe vendimin e tyre pas analizave dhe studimeve që ata i kanë bërë situatës dhe më pas ne do të mund të flasim, por tash ata duhet të flasin”, theksoi Kurti.

Kurti para gazetarëve tha se do të bëjnë të pamundurën si qeveri që ta bëjnë çmimin sa më të përballueshëm për qytetarët sa i përket energjisë elektrike.

Kurti: Do të bëjmë çfarë të mundemi që të ja lehtësojmë qytetarit barrën sa i përket çmimeve

“Unë çfarë zotohem si kryeministër se në njërën anë nuk i ndërhymë institucioneve të pavarura shtetërore, si puna e ZRRE-së, por në anën tjetër do të bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë në mënyrë që të ja lehtësojmë qytetarit barrën edhe sa i përket çmimeve të përballueshme që duhet të jenë, por njëkohësisht edhe sa i përket furnizimit sa më të qëndrueshëm me energji elektrike, qytetarët si konsumator, por edhe bizneset të cilat janë vendimtare për ekonominë tonë”, tha Kurti.

Në komentet që ka dorëzuar në ZRRE Qeveria ka propozim që tarifat e konsumatorëve të amvisërisë të mbeten të njëjta, e rritja potenciale t’i prekë bizneset, veçmas ato të mëdhatë.

Ndërsa Presidenca ka rekomanduar që të mos rriten tarifat dhe ka propozuar që kostoja shtesë e operatorëve, e diktuar nga importi, të mbulohet përmes pakos prej 75 milionë eurosh, të ndara nga Bashkimi Evropian.

Gjatë procesit të shqyrtimit të tarifave, ZRRE-ja ka propozuar që çmimi i rrymës të rritet për 14 për qind. Ky propozim ka ardhur pas kërkesës së KESCO-s që çmimi të rritet për 50 për qind.

Edhe KEK-u ka kërkuar që të rritet çmimi i megavatit të energjisë që ai ia shet KEDS-it dhe KOSTT-it nga 29.5 në 32.5 euro.

Vendimi për tarifat e reja pritet të merret gjatë këtij muaji, ndërsa ato do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

/TV Arbëria

Powered by WordPress