Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku meMinistrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë pritur në takimin e radhës të përbashkët Kryetarët e Komunave të Kosovës, për të diskutuar rreth çështjeve me të cilat përballen ato, e ku të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari si dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Në këtë takim, të pestin e këtij lloji, kryeministri, në fjalën e tij hyrëse u uroi një mirëseardhje të veçantë Kryetarëve të Komunave anëtare të reja të Asociacionit të Komunave të Kosovës; Ilir Peci, Kryetar i Komunës së Zveçanit; Izmir Zeqiri, Kryetari i Komunës së Zubin Potokut dhe Erden Atiq, Kryetar i Komunës Veriore të Mitrovicës.
Duke i falënderuar të gjithë për praninë sot, kryeministri shtoi se ky format na shërben që përmes diskutimit të hapur bashkë të punojmë e të kujdesemi që mirëqenie të qytetarëve që ajo të rritet, kurse problemet e tyre të reduktohen.
Kryeministri tha se prej takimit të fundit që kishim në muajin maj, një lajm i mirë dhe sukses i përbashkët është fitorja e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ku mbi 250 milionë euro investime publike dhe 24 objekteve sportive janë të parapara për këto lojëra, e që do të zhvillohen në gjithej 10 komuna të Kosovës, dhe në Durrës të Shqipërisë.
Një arritje tjetër për nivelin lokal sipas kryeministri është edhe anëtarësimi i Kosovës në Open Government Partnership – OGP. Republika jonë, tha më tej kryeministri, tani është pjesë një nisme e cila është ndërtuar mbi parimin e qeverisjes së hapur, demokracisë lokale dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.
E sa i përket buxhetit të komunave,kryeministri Kurti tha se në vitin 2024 ky buxhet arrin në 742 milionë euro. Sipas tij, në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.
Ndërkaq, investimet kapitale nga ministritë e linjës në Komuna përfshirje autostrada, përmirësim të infrastrukturës në qendër e rrugë të reja në zona më të thella, ndriçim publik e investime në energji efiçente, parqe, hapësira të gjelbëra dhe salla sportive, rregullim të shtretërve të lumenjve, shkolla për nxënësit e edhe shtëpi për personat me kushte të vështira financiare. ‘’Këto investime përfshijnë të gjitha komunat pa përjashtuar asnjë zonë dhe pa diskriminuar asnjë komunitet’’, u shpreh ai, ndërsa përmendi edhe Grantin e Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 që kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant.
Kryeministri Kurti së bashku ministrat dhe zëvendësministrat e pranishëm thanë se janë të gatshëm që t’i dëgjojnë dhe të diskutojnë e të ofrojnë zgjidhje në mënyrë që në takimin e radhës këto sfida të kthehen në suksese.
Fjalën e tij, kryeministri e përmbylli duke kërkuar një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, heroin Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, njëherësh Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se takimet e tilla me nivelin qendror janë të mirëseardhura, sepse po paraqiten sfidat e propozimet përkatëse, me të cilat po përballen komunat dhe shpresoi se këto propozime do të gjejnë zgjidhjen nga nivelet ministrore në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse të tillat nuk janë në kompetencën e vendimmarrjes së komunave.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar ministra,
Të nderuar kryetarë të Komunave,
I nderuar kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës z. Agim Aliu,
Të nderuar zëvendësministra e nënkryetarë,
Mirë së vini në kryeministri. Një mirëseardhje e veçantë për Kryetarët e Komunave anëtare të reja të Asociacionit të Komunave të Kosovës; Ilir Peci, Kryetar i Komunës së Zveçanit; Izmir Zeqiri, Kryetari i Komunës së Zubin Potokut dhe Erden Atiq, Kryetar i Komunës Veriore të Mitrovicës.
Ju faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sonë për mbledhjen e pestë të këtij formati, i cili ndonëse shpeshherë na gjen në sallën dhe orën e njëjtë rrallë herë na gjen edhe me tema të njëjta. Kjo ngase secila Komunë ka specifikat, sfidat dhe kërkesat të cilat edhe dallojnë njëra nga tjera.
E megjithatë ky format na shërben që përmes diskutimit të hapur bashkë të punojmë e të kujdesemi që mirëqenie të qytetarëve që ajo të rritet, kurse problemet e tyre të reduktohen.
Prej takimit të fundit që kishim në muajin maj, një lajm i mirë dhe sukses i përbashkët është fitorja e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Ato përfshijnë 24 sporte të ndryshme, 11 komuna në dy shtete. Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Peja, Drenasi, Skenderaj, Podujeva, dhe Durrësi në Shqipëri, do të jenë qendrat, në të cilat do të zhvillohen programi sportiv i Lojërave Mesdhetare.
Mbi 250 milionë euro investime publike dhe 24 objekteve sportive janë të parapara në konceptin me të cilën kemi fituar kandidaturën me 8 shtator në Heraklion të Greqisë. Këtu përfshihen investimet në stadiume, pishina, salla sportive e infrastrukturë tjetër mbështetëse. E Komunat tona përveç se kanë mundësitë që të dëshmojnë traditën tonë si nikoqirë të mirë dhe të përfitojnë edhe shumë investime të cilat vijnë nga organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030.
Një arritje tjetër për nivelin lokal është edhe anëtarësimi i Kosovës në Open Government Partnership – OGP. Republika jonë tani është pjesë një nisme e cila është ndërtuar mbi parimin e qeverisjes së hapur, demokracisë lokale dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Të nderuar të pranishëm,
Buxheti i Komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Po bëhet tashmë viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Në vlerë absolute, buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë.
Investimet kapitale nga ministritë e linjës në Komuna përfshirje autostrada, përmirësim të infrastrukturës në qendër e rrugë të reja në zona më të thella, ndriçim publik e investime në energji efiçente, parqe, hapësira të gjelbëra dhe salla sportive, rregullim të shtretërve të lumenjve, shkolla për nxënësit e edhe shtëpi për personat me kushte të vështira financiare. Këto investime përfshijnë të gjitha komunat pa përjashtuar asnjë zonë dhe pa diskriminuar asnjë komunitet.
Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit.
Në fund, bazuar në Ligjin për Sistemin e Menaxhimin e Performancës së Komunave dhe Skemën e Grantit të bazuar në Performancë, kemi miratuar legjislacionin e nevojshëm që komunat të raportojnë dhe të përfitojnë bazuar në performancë dhe jo preferencë. Më lejoni të përfitoj nga rasti që të theksoj rëndësinë që të gjitha komunat të respektojnë afatet e përcaktuara për raportim sepse në të kundërtën bëjnë shkelje ligjore dhe japin sinjale për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.
Unë, së bashku ministrat dhe zëvendësministrat e pranishëm jemi të gatshëm që t’ju dëgjojmë dhe të diskutojmë e të ofrojmë zgjidhje në mënyrë që në takimin e radhës këto sfida të kthehen në suksese.
Mbi të gjitha, e para se gjithash ju falënderoj për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar me Policinë e Kosovës, në këto ditë të vështira të përballjes me kriminelët dhe me terroristët në një betejë të cilën e ngadhënjyem por, në të cilën heroikisht ra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku për të cilin ju ftoj të gjithëve të mbajmë një minutë heshtje.
Lavdi!
Ju faleminderit, e tani po ia kaloj fjalën Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, njëherësh Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
/TV Arbëria