Behar Ismës i është betonuar pozita e ushtruesit të detyrës së Konsullit të Përgjithshëm të Dusseldorf-it. Qeveria Kurti e kishte emëruar para gati dy vitesh në këtë pozitë të cilën ende po e mban, ndonëse në bazë të ligjit parashihet që çfarëdo pozitë të mos mbahet për më shumë se gjashtë muaj. Madje, s’e morën parasysh as notën verbale që ua kishte dërguar Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë. Në notë verbale që dërgonte verën e vitit të kaluar, diplomacia gjermane kërkonte që të zgjidhej sa më shpejt çështja e Konsullit të Përgjithshëm.
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë përmes burimeve të saja një notë verbale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në drejtim të Ambasadës së Kosovës në Berlin, që tërhiqte vërejtjen lidhur me pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Dusseldorf.
Në notë verbale të datës 03 qershor 2025, diplomacia gjermane kërkon të dijë se në çfarë kohe është paraparë emërimi i Konsullit të Përgjithshëm dhe rikujton se marrja e detyrave të përkohshme parashihet vetëm për periudha të shkurtra.

Gazeta Insajderi ju sjell në gjuhën shqipe notën verbale të MPJ-së Gjermane, pa ndërhyrje:
Notë Verbale
Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet Ambasadën e Republikës së Kosovës dhe, duke iu referuar notës verbale Nr. 554/2024 të datës 29 korrik 2024, ka nderin të njoftojë si vijon:
Ministria e Punëve të Jashtme kërkon njoftim se në cilën kohë është paraparë emërimi i një Konsulli të Përgjithshëm ose Konsulle të Përgjithshme për Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf.
Siç është bërë e ditur në notën e mëparshme verbale, marrja e përkohshme e detyrave të drejtuesit të Konsullatës së Përgjithshme nga palë të treta parimisht është e paraparë vetëm për periudha të shkurtra, pra për disa muaj. Marrja e detyrave të drejtuesit të Konsullatës së Përgjithshme nga Konsulli, z. Behar ISMA, duhet që, nëse është e mundur, të përfundojë sa më shpejt dhe posti i Konsullit të Përgjithshëm të plotësohet përfundimisht.
Ministria e Punëve të Jashtme thekson paraprakisht se procedura paraprake për dhënien e ekzekuaturës duhet të iniciohet me kohë dhe pret me interes një kërkesë përkatëse.
Ministria e Punëve të Jashtme shfrytëzon këtë rast për t’i shprehur edhe një herë Ambasadës së Republikës së Kosovës konsideratën e saj të lartë.
Berlin, 03 qershor 2025
Drejtuar:
Ambasadës së Republikës së Kosovës
BERLIN
Lidhur me këtë, Gazeta Insajderi ka kërkuar një koment nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe nga vetë Isma, mirëpo tash e më shumë se një muaj s’ka marrë asnjë përgjigje.
Gazeta Insajderi është interesuar të dijë po ashtu nga nga Zyra e Presidentes nëse Isma është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani, por as nga kjo zyrë s’i janë përgjigjur kërkesës për deklarim.
Behar Isma është emëruar përkohësisht si ushtrues detyre në këtë pozitë që nga gjysma e vitit 2024 dhe po vazhdon që ta mbajë detyrën. Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet njoftimeve zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të Dusseldorf-it.
Njoftimi i fundit që Isma prezantohet si Konsull i Përgjithshëm në detyrë është i datës 12 shkurt të këtij viti, ku Isma realzon vizitë pune në kompaninë e një pronari nga Kosova në Gjermani.

Behar Isma, i denoncuar në institucionet e drejtësisë
Ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës në Frankfurt, Miftar Dragidella ka adresuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës një kallëzim penal të bazuar në fakte dhe dokumente se si ish-sekretari ka bërë falsifikim të një nënshkrimi dhe deklarim të rrejshëm lidhur me largimin nga puna të shoferit nga Konsullata e Kosovës në Frankfurt në vitin 2021. Aty ka përfshirë edhe ministren Donika Gërvalla për mos “moslajmërim të veprës penale”.
Dokumentet që ka ofruar Dragidella tek organet e drejtësisë, kanë konfirmuar se Isma ka pretenduar rrejshëm që nuk kanë shkuar në adresë të MPJD-së vendimet për rastin Dragidellës, nëpërmjet një letre të cilën ia ka nënshkruar dikush tjetër.
E Isma i ka shkruar gjykatës gjermanes se vendimi asnjëherë nuk ka shkuar në adresë të Ministrisë.
Në Intervistën dhënë për Insjaderin Dragidella po ashtu ka treguar se një kallëzim penal e ka bërë edhe ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe ndaj ambasadorit të Gjermanisë, Faruk Ajeti, për “moslajmërim të veprës penale”
Behar Isma sa ishte sekretar në ministrinë që udhëhiqej nga Gërvalla kishte privilegjuar tre zyrtarë me gradime si kryesues i komisionit vlerësues.
Nga ky komision, Besim Berisha ( udhëheqës i Divizionit për Hartim dhe Koordinim të Politikave), Vigan Berisha ( udhëheqës i Njësisë së Burimeve Njerëzore), dhe Hamdi Bërbatovci( Auditor i Brendshëm) tejkaluan plot 4 grada në hierarki, për ta marrë atë të këshilltarit.
Procesi i gradimit brenda MPJD-së, e caktuar edhe me rregullore, lidhet me përvojën kualifikimet dhe përformancën e punës, por nuk dihet saktë çfarë kualifikimesh duhet të kenë që gradën e parë ta marrin duke kaluar pesë grada parapake, aq më tepër pa asnjë përvojë në diplomaci.
Të njëjtit tashmë diplomat, pas marrjes së gradave, rekorde thyen edhe në pozitat që do i merrnin në diplomaci. Shefa misionesh e konsullatave të mirëpërzgjedhura, të cilat patjetër se prijnë edhe me pagesat më të majme, si shkak i standardit jetësor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra dhe Gjermania, do bëhen vend pune dhe jetese për të paktën 4 vjet për tre diplomatët e lartë të Gërvalles.
Vigan Berisha u emërua si shef i misionit në Konsullatën e Kosovës ne Cyrih.
Zvicra është shteti ku diplomatët marrin pagat më të larta, si shkak i standardit jetësor në këtë shtet, andaj për tu emëruar në këtë shtet bëhet luftë jo pak e vogël brenda stafit diplomatik.

Hamdi Bërbatovci u emërua Konsull i Përgjithshëm në Konsullatën e Kosovës në Stuttgart.

Besim Berisha nuk mori titullin shef, por mori një prej misioneve më të rëndësishme dhe më së shumti të paguar.
Berisha u caktua të shërbejë në Konsullatën në New Jork për të cilën gjithashtu behët luftë e madhe për përzgjedhje kjo jo vetëm për shkak të pagës më të madhe por edhe për rëndësinë e misionit diplomatik atje. /Insajderi.org/
