Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qeveria insiston se vendimi për dinarin s’do të ndryshohet, opozita kërkon koordinim me aleatë

Qeveria insiston se vendimi për dinarin s’do të ndryshohet, opozita kërkon koordinim me aleatë

Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë se Rregullorja e Bankës Qendrore (BQK), ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë s’do të ndryshohet.

Sipas tyre, pajtimi me propozimin e Bashkimit Evropian ka të bëjë vetëm me lehtësimin e zbatimit të saj, në mënyrë që qytetarët serbë në Kosovë të mos dëmtohen.

Në anën tjetër, partitë opozitare, kritikojnë ekzekutivin që çështjen e dinarit e ka bërë temë në dialog, por theksojnë se çfarëdo veprimi tutje për zbatimin e saj duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë se janë të angazhuar që në bashkëpunim me partnerët të gjejnë mënyrat më të mira që lehtësojnë tranzicionin për zbatimin e Rregullores, por pa e prekur të njëjtën.

Sipas tij, diskutimet në Bruksel janë në funksion të lehtësimit të zbatimit të Rregullores së BQK-së, e jo të ndryshimit të saj.

“Çfarëdo diskutimi në Bruksel është në funksion të lehtësimit por jo të ndryshimit të rregullores. Rregullorja nuk mund të ndryshohet, thotë ai.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë për KP se çdo veprim që është në interes të Kosovës duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar.

“Kurti ia hupi që 1 vit me dinarin, 1 vit me tabela dhe nuk e di se ku ia ka qitë terezinë kështu. Mendoj se është një kryeministër pa vizion dhe i dështuar”, deklaron Beqa.

Kritike është edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila thotë se qeveria e bëri dinarin temë në dialog, pa pasur fare nevojë.

Sipas saj, pas takimit të fundit në Bruksel, zëvendëskryeministri, njëherësh kryenegociatori për dialog, Besnik Bislimi është tërhequr nga vendimi për dinarin.

“Kjo qeveri e bëri dinarin temë të dialogut dhe kjo është shqetësuese për vendin”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, megjithëse thotë se vendimi për dinarin është i duhuri, ngre shqetësime se Qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga i njëjti.

“Të gjitha veprimet populiste që i ka bërë kjo qeveri nuk i kanë zgjatur. Kanë thënë se s’do të dialogojnë fare për dinarin dhe tash po e shohim se po shkon zëvendëskryeministri në Bruksel”, thekon Kadrijaj.

Takimi i fundit në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve u mbajt me 4 prill. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kanë pranuar propozimin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, mirëpo pala serbe s’ka qenë e gatshme për kompromis. Takimi i katërt Bislimi-Petkoviq për çështjen e dinarit pritet të zhvillohet pas dy jave në Bruksel.

Powered by WordPress