Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Qeveria ia dha 70 mijë euro për librin, Walker: Nuk do t’i pranoja nëse nuk do të dihej qëllimi i botimit

Qeveria ia dha 70 mijë euro për librin, Walker: Nuk do t’i pranoja nëse nuk do të dihej qëllimi i botimit

Ambasadori William Walker ka mirëpritur ndarjen e 70 mijë eurove për librin e tij për Reçakun, në prag të 24-vjetorit të masakrës. Porse thotë se nuk do ta pranonte këtë fond në rast se nuk do të ishte i qartë qëllimi i botimit të librit të tij.

Walker i cili i tregoi botës për krimet e Serbisë në Kosovë, tregon edhe sesi kryeministri i vendit, Albin Kurti i kishte ofruar ndihmën e qeverisë për librin për Reçakun.

Walker për ndihmën e qeverisë për librin: Shkëlqyeshëm

“…Kur shkova për herë të parë në Reçak pas luftës, u thashë fshatarëve për të cilët kam një dashuri të madhe, se do të shkruaj një libër dhe do të titullohet Reçaku, sepse ky ishte një moment shumë i rëndësishëm në jetën time dhe në jetën e tyre, dhe mendova se do të kishte një rëndësi historike. 23 vjet më vonë, unë jam ende duke shkruar librin, dhe rreth pesë javë më parë, kryeministri erdhi në Uashington dhe hëngrëm drekë së bashku. Nuk e kisha parë prej kohësh, që kur ishte zgjedhur kryeministër, dhe biseduam, patëm një bisedë shumë të këndshme, dhe ai më pyeti nëse po e shkruaj librin, dhe si po shkon, dhe i thashë, nuk e kam shkruar kaq shpejt, më tha shiko, qeveria mendon se kjo do të ishte temë e rëndësishme për publikun, që bota të dijë për versionin tuaj të asaj që ndodhi në Reçak dhe çfarë rëndësie ka pasur për Kosovën, për Ballkanin, për Evropën, një komb i ri, dhe unë thashë, po përpiqem ta bëj këtë, po kam disa probleme, dhe ai tha, qeveria do të donte t’ju ndihmojë, ne do të donim të shohim që ta nxirrnit këtë libër, dhe thashë shkëlqyeshëm, dhe kjo është ajo që ata kanë ofruar”, thotë ai.

E botimi i këtij libri sipas tij, ka një rëndësi të veçantë.

Walker: Nëse dikush do të mendonte se po e botoj librin në favor të qeverisë, nuk do ta pranoja fondin

“Nëse dikush mendon se unë po e shkruaj këtë libër në favor të qeverisë, ose në favor të dikujt, atëherë nuk do ta pranoja. Kjo është në mënyrë që unë të tregoj atë që mendoj se ka ndodhur në Reçak dhe sa e rëndësishme ka qenë në historinë e Kosovës, në historinë e Ballkanit, në historinë e Evropës”, thotë ai.  

/TV Arbëria

Themes by WordPress