Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Qeveria e Kurtit në muajt e fundit të saj, intesifikohen ngacmimet me opozitën

Qeveria e Kurtit në muajt e fundit të saj, intesifikohen ngacmimet me opozitën

Qeveria ka hyrë në gjashtëmujorin e fundit të mandatit të rregullt. Diskutimet për caktimin e datës së zgjedhjeve kanë nisur. Kjo, siç duket, ka filluar t’i aktivizojë akterët politikë në vend që të nisin fushatën parazgjedhore.

Të shtunën, Dejona Mihali, që nga shumë kundërshtarë të pushtetit konsiderohet si gruaja që e thotë fjalën e fundit në VV, e ka sulmuar “kombinimin LDK-PDK” për Gjykatën Speciale. Asaj i reagoi deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, që tha se bartës politikë të Vetëvendosjes kanë punuar në nëntokë për të themeluar Specialen.

Haradinaj të dielën në një intervistë për Ekonomia Online nuk e ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj kryeministrit Kurti, për të cilin tha se është i rekrutuar nga Serbia dhe se nuk punon për interesat e Kosovës. Ndaj tij, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim.

Ndërkaq ka pasur një përplasje mes LDK’së dhe Ministrisë së Infrastrukturës për një projekt në Istog. Se kujt i takojnë meritat për të, ishte diskutimi.

Mihali e Musliu për Specialen

Në përvjetorin e nëntë të themelimit të Gjykatës Speciale, koordinatorja e Komiteteve në VV, Dejona Mihali, ka thënë se ajo është “padrejtësia më e padurueshme e shkaktuar Kosovës nga vet drejtuesit e saj pas lufte”.

Të shtunën, Mihali tha se Ligji për Gjykatën Speciale është shenja me e errët që sipas saj i ka prodhuar kombinimi LDK-PDK.

“As organizata të shoqërisë civile, as individë me profil publik, e as profesorë të së drejtës nuk u panë as me 26 qershor e as me 3 gusht në protestën para Kuvendit. As në shkrime, analiza e komente. Madje në tryezën që patëm organizuar shumica që thërrisnim as nuk guxonin të merrni pjesë.  Ato amendamente kushtetuese, ai ligj dhe ai konstruksion i futur brenda sistemit të Kosovës janë shenja më e errët në historinë e Kosovës, pas marrëveshjes për Zajednicën që ka prodhuar kombinimi LDK-PDK. Gjykata speciale mbetet padrejtësia më e padurueshme e shkaktuar Kosovës nga vet drejtuesit e saj pas lufte. Lutjes, thirrjeve tona, deputetëve tanë, për gjithë vitin 2014-2015 kur përgatiteshin shkëmbimi i letrave Jahjaga-Ashton, marrëveshjeve ndërkombëtare me Holandën, ndryshimeve kushtetuese dhe negociimit për ligjin në Bruksel, ju përgjigjën çapraz në kor e gjithë qeveria. Ata thanë se është vendimtare për të ardhmen e Kosovës, madje është një far patriotizmi, sepse Rusia do ta themelonte atë në OKB. E pabesueshme, sureale por ja deklarim i tyre. Ende sot nuk e dimë a e kanë besuar vërtet apo çfarë ishte ai sulm mbi këdo që ishte kundër gjykatës speciale”, ka shkruar ajo.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, duke thënë se LVV është përfituesja më e madhe politike e praktike nga Gjykata Speciale. Musliu tha se bartës politikë të Vetëvendosjes kanë punuar në nëntokë për të themeluar Gjykatën Speciale.

“LVV kundershtonte themelimin e Gjykates Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosoves, veç sa për “sy e faqe” sepse në prapavi punuan fort që kjo gjykatë të bëhëj”, thotë Musliu.

“E dimë ne e do ta dinë edhe brezat që vijnë se kush është Hashim Thaçi e Kadri Veseli e kush ishte Albini e Dejona. ATA do të kthehen me lavdi e ju do të kujtoheni për tradhëti. Zgjedhjet erdhen, ju shkuat”, ka shkruar dje Musliu në Facebook.

Haradinaj kritikon Kurtin: I rekrutuar nga Serbia, nuk punon për interesat e Kosovës

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë të dielën se kryeministri Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia dhe e ka quajtur atë përçarës të shqiptarëve në Luginë.

Ai ka thënë se Kurti nuk punon për interesat e Kosovës.

“Ju e shihi se nuk jemi afër NATO-s, kanë kaluar katër vite dhe nuk kemi asnjë njohje, se kemi forcuar statusin tonë ndërkombëtar, por jo vetëm kaq sot ne jemi të dënuar me sanksione nga BE-ja në vend që të ishte Serbia. Edhe pas sulmit në Banjskë, Serbia nuk është e dënuar vetëm për faktin e sjelljeve të Kurtit. Ai nuk i shërben shqiptarëve është i rekrutuar prej Serbisë. Po i jap disa shembuj i ka përçarë shqiptarët e Preshevës në mënyrën më të keqe, i ka bë pikë e pesë, është dalë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë të bartësve të saj, Ali Ahmeti. Ai as nuk e di se kënd e ka përkrah në Maqedoni por ka dalë publikisht kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sot në Maqedoni qeveria e re ka marrëveshje për të patrulluar me policinë serbe. Pra Policia e Serbisë patrullon me Policinë e Maqedonisë, këtë qeveri e ka përkrah Kurti”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj e ka cilësuar Qeverinë Kurti si “dëmin më të madh që i është bërë Kosovës”, ndërsa shtoi se partnerët ndërkombëtar e kanë humbur besimin ndaj tij.

Ish-kryeministri i Kosovës ka pasur kritika edhe për mospërfshirjen e veteranëve të luftës në pagën minimale. Ai ka thënë se për herë të parë një parti shqiptare bëhet bashkë me Listën serbe për t’i lënë jashtë pagës minimale ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Kurti është në faj ndaj Kosovës, sot e diskutuam situatën e kategorinë e lirisë, në historinë e parlamentarizmit, unë jam zgjedh në të gjitha regjistraturat por në të gjitha ka mundur që të ushtrohet mandati derisa unë kam qenë në Hagë, por kurrë nuk ka ndodh. Ka qenë një ndarje pas luftës LDK dhe krahu i luftës por sa herë që ka pasur votime për kategoritë e lirisë, LDK ka qenë shumë e respektueshme në këto çështje, e vetmja herë në histori që një parti që ka shumicën Vetëvendosje e ka marrë ndihmën e listës serbe, vetëm këtë herë ka votuar lista serbë në këtë legjislaturë, dhe atëherë mos me i përfshi veteranët në pagën minimale. Kemi të bëjmë me një qeverisje që është në faj ndaj Kosovës, duke qenë në faj mundohet të mbulojë fajin e vet dhe të këqijat që i ka bërë Kosovës, me një arrogancë me një qasje armiqësore ndaj të gjithëve, kjo i ka shkaktuar shumë dëm vendit”, ka thënë ai.

LDK vs Ministria e Infrastrukturës për “korridorin e turizmit”

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, të dielën postoi një video nga Istogu për një projekt nga Bjeshka e Moknës ku tha se po ndërtohet një rrugë e re prej afto 20 kilometrash, të cilën e ka quajtur “një korridor të ri turizmi”.

Pas videos nga Istogu, kanë ardhur reagime nga Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se projekti financohet nga Ministria e Infrastrukturës. Zëvendëskryeministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se Abdixhiku po mashtron pasi sipas tij rruga e Moknës është “komplet investim i ministrisë” dhe jo projekt lokal.

“Edhe në Pejë e bëre të njëjtën gjë vitin e kaluar sikur sot në Istog. Në komunat ku ju qeverisni nuk po mund t’a gjeni asnjë projekt të nivelit lokal për të bërë një foto a video, prandaj kudo që shkoni, investimet direkte të Qeverisë së Kosovës, po mundoheni që t’i paraqitni si projekte lokale. Vazhdimisht ankoheni për mungesë të investimeve kapitale por kudo që shkoni i shihni projektet konkrete duke u realizuar në ato komuna”, ka shkruar ai.

Durmishi tha se Qeveria Kurti “nuk i diskriminon komunat” dhe “as Istogun”.

Durmishit i është kundërpërgjigjur kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati duke i thënë se komuna e tij mund t’i ligjërojë nivelit qendror “se si punohet”.

“Faza e II-të e projektit “Ndërtimi i rrugës, Istog – Bjeshka e Moknes”. Jashtëzakonisht krenarë që përmes kësaj rruge po hapim shtigje të reja drejt zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë në gjithë Kosovën. Ps: Për Durmishin&Co, Projekti Mokna i projektuar nga Komuna, mbikëqyrja e menaxhimi nga Komuna, procedurat e prokurimit që Komuna e Istogut bën për dallim prej jush rezultojnë në ekzekutim të shkëlqyeshëm në teren!”, shkroi Ferati.

“Të gatshëm jemi kurdo për t’ju ligjëruar se si punohet!”, shtoi ai.

Ferati tha se “fondet janë të taksapaguesve (jo te VV-së) dhe tek ta po kthehen si zhvillim e përparësi!”.

Një reagim ndaj LDK’së ka ardhur edhe nga Valon Hoti, shef i kabinetit të ministrit Liburn Aliu. Ai ka thënë se “manipulimet nuk kalojnë”, duke theksuar se projekti është i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.

“Manipulimet nuk kalojnë ndërsa punimet për projektin “Livadhet e Istogut – Mokna vazhdojnë. Ilir Ferati e paska bërë një reagim të lodhët.  Vetëm një gjë paska harruar qëllimisht. Atë më të rëndësishme për realizimin e një projekti infrastrukturor, pra financat. Kush e financon projektin Livadhet e Istogut – Mokën, faza II? Komplet ky projekt financohet nga MMPHI. Vlera e tij është 2.9 milionë euro, kurse procedurat i ka ndjekur komuna sepse është rrugë lokale”.