Qeveria e Kosovës ka miratuar Propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për promovimin e Librit “Reçaku”.
Kryeministri Albin Kurti tha se libri përshkruan Masakrën e Reçakut dhe autor është ish-ambasadori i OSBE-së, Wiliam Walker.
Ai në mbledhjen e Qeverisë tha se ky libër po financohet për shkak të peshës historike që ka.
“Këtë të diel bëhen 24 vite nga Masakra e Reçakut që tmerroi dhe tronditi Kosovën, por edhe e ndërgjegjësoi dhe e alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para jush keni propozim-vendimin për ndarjen e 70 mijë eurove për hulumtimin, shkrimin, editimin, përkthimin dhe shtypjen e librit të memoareve të ambasadorit William Walker dhe të Masakrës së 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe peshës historike të kësaj ngjarje”, ka thënë kryeministri Kurti.
Gjithashtu Qeveria e Kosovës ka miratuar Propozim-vendimin për ndarjen 100 mijë eurove për Fondacionin Amerikano- Kosovë për Edukim.
Ndërsa janë ndarë edhe 50 mijë franga zvicerane për mbajtjen e Forumit të Investimeve.
/TV Arbëria