Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka aprovuar projekte kapitale shumëvjeçare, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se është aprovuar ndërtimi i dy stadiumeve të futbollit dhe renovimi i dy të tjerëve, njëherit edhe renovimi i Galerisë Kombëtare.
“Të mërkurën është mbajtur mbledhja e Qeverisë në mënyrë elektronike gjatë të cilit janë aprovuar projektet kapitale si ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Pejë, renovimi i stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren, ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Ferizaj, renovimi i Stadiumit të Qytetit në Vushtrri hde renovimi i Galerisë Kombëtare”, thuhet në njoftim.
Tutje, në mbledhje janë emëruar edhe dy komisione, ndërsa u miratua edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes së financimit ndërmjet Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të bazuar në Politika.
“Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: “Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit”; Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: “Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”; Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika”, thuhet tutje në njoftimin e Qeverisë.