Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi e konsideron 2023-ën si një vit të suksesshëm.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se gjatë 2023-së kanë nisur me digjitalizimin e shërbimeve për studentë dhe për herë të parë kanë dizajnuar një skemë të re bursash për master dhe doktorale, një program të praktikës me pagesë për studentët.
Qerimi thotë se universiteti ka financuar për herë të parë projekte për secilën njësi akademike në vlerën deri në 25 mijë euro.
Sa i përket projekteve, rektori Qerimi ka folur për ndërtesën e re të Fakultetit të Shkencave matematike-natyrore që pritet të përfundojë në 2024-tën, teksa për herë të parë ka menaxhuar dhe hartuar një plan veprim për barazi gjinore, të komunikimeve të qëndrueshmërisë për UP-në.
Rektori Qerimi thotë se kanë nënshkruar rreth 500 marrëveshje ndërkombëtare, si dhe kanë ofruar 500 kurse në gjuhën angleze, dhe ka krijuar për herë të parë disa programe me të cilat UP do të ketë një numër të studentëve ndërkombëtarë që do të vijnë për studime.
Ndryshe, rreth 6 mijë studentë janë regjistruar në Universitetin e Prishtinës gjatë vitit 2023, ku shumica janë orientuar në drejtime të ndryshme si mjekësi, psikologji, edukim dhe juridik. Ndërsa drejtimet më pak të përzgjedhura ishin bujqësia, veterinaria dhe shkencat.