Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qendrim Kryeziu zyrtarizon kandidimin për deputet me numrin 103 në PDK

Qendrim Kryeziu zyrtarizon kandidimin për deputet me numrin 103 në PDK

Biznesmeni Qendrim Kryeziu ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, ku mban numrin 103, ndërsa PDK garon me numrin 130 në fletëvotim. Ai e ka cilësuar këtë vendim si përgjegjësi ndaj vendit, duke theksuar se rrethanat aktuale politike kërkojnë angazhim.

Jam jashtëzakonisht i privilegjuar që do të jem bartës i numrit 103 në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës me numër 130”, ka deklaruar Kryeziu, duke shtuar se “kjo betejë nuk është aspak e lehtë”.

Ai ka theksuar se në këtë periudhë të ndjeshme për vendin, tërheqja nuk është opsion.

“Indiferenca është dorëzim, neutraliteti pajtim, dhe tërheqja miratim. Prandaj, angazhimi nuk është asgjë tjetër pos detyrim shtetëror e kombëtar”.

Kryeziu ka përmendur edhe historinë e familjes së tij, duke thënë se angazhimi i tyre atdhetar ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin e tij për t’u futur në politikë.

“Tipare këto që i kanë veçuar edhe rrënjët e familjes sime, për shkak të përkushtimit ndaj atdheut që nga Lidhja e Prizrenit, pjesëmarrja në kryengritjet e Azem Bejtës e deri te kontributi në aksionin e Pajtimit të Gjaqeve dhe formimin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka theksuar ai.

Në njoftimin e tij, Kryeziu ka folur edhe për angazhimin në biznes që në moshë të re.

“Kam besuar në fitimin e pavarësisë personale dhe se investimet në ekonomi janë ato që i duhen Kosovës së çliruar,” duke shtuar se “hapja e vendeve të reja të punës është çelësi magjik për të ardhmen e këtij vendi”.

Ai ka kritikuar qeverinë aktuale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me një qeveri të drejtuar nga Albin Kurti, që e ka armiqësuar shtetin me aleatët strategjikë dhe i ka shpallur luftë të hapur bizneseve, e ardhmja e vendit është vënë në rrezik”, ka deklaruar Kryeziu, duke shtuar se “zhgënjimi, dëshpërimi dhe pasiguria kolektive janë bërë disponim shoqëror”.

Sipas tij, zgjidhja qëndron te ndryshimi politik.

“Kjo situatë mund të korrigjohet vetëm nën drejtimin e vendit nga një lider i dëshmuar si Bedri Hamza. Nën udhëheqjen e tij, fitorja është e sigurt”, ka thënë ai, duke e cilësuar këtë si “mundësinë e vetme për shpëtimin e Kosovës nga e keqja që e ka pllakosur”.