Qëndrim Kryeziu, ka reaguar për situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se proceset e shpeshta zgjedhore kanë lodhur qytetarët, por në rrethanat e krijuara ato janë bërë të pashmangshme.
Në një reagim publik, Kryeziu tha se zgjedhjet mbeten mënyra e vetme për ta korrigjuar, sipas tij, modelin e dëmshëm të qeverisjes që po prodhon pasoja për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme.
Ai ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe për menaxhim të krizave politike.
Sipas Kryeziut, zhvillimet e fundit politike dhe deklarimet publike të presidentes Vjosa Osmani tregojnë, sipas tij, përçarje dhe probleme brenda ish-partnerëve politikë.
“Qytetarët e Kosovës tashmë kanë mundësi ta shohin në dritën e diellit anën e errët të kësaj qeverisjeje,” ka deklaruar ai.
Kryeziu thekson se kjo situatë nuk mund të përmirësohet vetvetiu dhe se zgjedhjet e mundshme, qoftë në prill apo në gusht, janë një mundësi për qytetarët që ta ndryshojnë drejtimin politik të vendit.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës synon të jetë bartëse e këtij ndryshimi.
“Si kandidat i PDK-së me numër 103, zotohem se do t’i japim fund pengmarrjes politike të shtetit dhe do ta rikthejmë Kosovën në binarët e zhvillimit, përparimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore,” ka deklaruar Kryeziu.