Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Qëndrim Kryeziu, i cili garon me numrin 103, ka reaguar ashpër për situatën në Trepçë, pas bllokimit të minatorëve nën tokë si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.
Kryeziu ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit dhe menaxhmentin e Korporatës Trepça për dështim, papërgjegjësi dhe keqmenaxhim, duke e quajtur gjendjen “turp kombëtar”.
Sipas tij, Trepça është degraduar nga mungesa e investimeve, pajisjet e amortizuara dhe rënia e prodhimit, ndërsa ka pretenduar se po dëmtohet edhe interesi ekonomik i Kosovës.
Ai ka kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për gjendjen në Trepçë, duke theksuar se minatorët meritojnë siguri, dinjitet dhe investime serioze.