Qëndrim Kryeziu ka reaguar pas debatit të shkaktuar nga një artikull i mediumit zviceran Neue Zürcher Zeitung (NZZ), i cili raportoi se muajin e kaluar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ishin takuar në një ambient joformal për të diskutuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas Kryeziut, reagimi i përfaqësuesve të pushtetit në Kosovë ka qenë i ashpër dhe kategorik, duke e mohuar takimin dhe duke e akuzuar median zvicerane për papërgjegjësi, madje duke e lidhur raportimin me “agjenda të luftës hibride” kundër shtetit të Kosovës.
Megjithatë, ai vlerëson se çështja është e thjeshtë për t’u sqaruar. “Nëse janë të sigurt se takimi nuk ka ndodhur, atëherë zyrtarët qeveritarë mund ta padisin gazetën për shpifje”, shkruan Kryeziu, duke shtuar se në këtë rast zëvendëskryeministri Bislimi do të mund të përfitonte edhe financiarisht përmes dëmshpërblimit.
Sipas tij, mungesa e një veprimi ligjor ndaj mediumit zviceran e lë në fuqi versionin e paraqitur nga NZZ. “Pa një padi, e vërteta mbetet ajo që shkruhet në artikullin në fjalë”, thekson ai.
Kryeziu shton se reagimet e brendshme politike kanë më shumë funksion të menaxhimit të narracionit publik në Kosovë, sesa të zbardhjes së së vërtetës, duke nënvizuar edhe mungesën e një opozite aktive që do ta sfidonte seriozisht pushtetin në këtë rast.