Qëndrim Kryeziu ka komentuar aksionin protestues të zhvilluar dje në rrugët e Prishtinës, ku qytetarët dolën në shesh për të mbështetur Kongon. Kryeziu e cilëson këtë ngjarje si një veprim të paprecedent dhe një devijim nga shqetësimet reale të qytetarëve.
Sipas tij, ky aksion nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si shpagim i borxhit publik, duke aluduar në një financim të mundshëm sekret nga Irani, me qëllim të rritjes së ndjenjave antiamerikane në shoqëri. Kryeziu vë në dukje mungesën e reagimit të qytetarëve për çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre, si shtrenjtimi i energjisë elektrike, rritja e tatimeve, çmimi i miellit dhe bukës, falja e tokave të Manastirit të Deçanit apo izolimi i shtetit.
“Ku ishin këta protestues kur u godit drejtpërdrejt xhepi i qytetarit të Kosovës? Ata heshtën për shtrenjtimet dhe lëshimet qeveritare, por dolën për një shtet që nuk ka asnjë interes për ne”, tha Kryeziu.
Ai sugjeron që energjia e qytetarëve të shfrytëzohet për një mobilizim masiv kundër politikave të Albin Kurtit, të cilat sipas tij provokuan zgjedhje të jashtëzakonshme vetëm nga dëshira për pushtet absolut, dhe jo përmes parullave anti-shtetërore si “Free Palestine”, “Free Kongo” apo “Free Albin”.
Kryeziu i konsideron këto protesta si një maskaradë që largon qytetarët nga prioritetet reale kombëtare.