Kandidati i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka falënderuar qytetarët e Pejës për mbështetjen, duke premtuar se besimin e tyre do ta kthejë me angazhim konkret për realizimin e projekteve të mëdha zhvillimore në rajon.
Sipas Kryeziut, prioritet do të jetë lobimi për përfundimin e projekteve strategjike në Rugovë, përfshirë Liqenin e Rugovës, Hidrocentralin e Rugovës dhe Qytetin e Rugovës, të cilat, sipas tij, do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Ai gjithashtu ka theksuar nevojën për përfundimin e autoudhëve që lidhin Pejën me qytete dhe rajone të rëndësishme, si Pejë–Mitrovicë, Pejë–Kijevë, Pejë–Deçan dhe Pejë–Ulqin.
“Me ju bashkë ia dalim, pejanë. Keni nevojë t’i ktheheni Pejës tregtare të Haxhi Zekës. Keni nevojë të xhironi më shumë dhe të krijoni më shumë zhvillim ekonomik. Ne e kemi dëshmuar se dimë të punojmë dhe ta zhvillojmë vendin. Ne jemi për ju dhe me ju”, është shprehur Kryeziu.
Ai ka vlerësuar se investimet në infrastrukturë, turizëm dhe lidhjet rrugore do ta rikthenin Pejën në rolin e saj historik si një qendër e rëndësishme tregtare dhe ekonomike në Kosovë.