Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Qëndrim Kryeziu për letrën e Uran Ismailit drejtuar prishtinasve: E paska filluar fushatën si mos më keq, imitim tipik i politikës populiste të Albin Kurtit

Qëndrim Kryeziu për letrën e Uran Ismailit drejtuar prishtinasve: E paska filluar fushatën si mos më keq, imitim tipik i politikës populiste të Albin Kurtit

Qëndrim Kryeziu përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, e ka filluar në mënyrë jo të mirë fushatën. Kryeziu, duke komentuar letrën e Ismailit drejtuar prishtinasëve, për premtimet që ky i fundit i dha, thotë se janë një imitim tipik i politikës populiste të Albin Kurtit.

“Ai i liston disa probleme tjera të mëdha, si mungesën e ndriçimit, qentë endacakë, e deri te pluhuri i ndërtimeve kudo. Mirëpo, Uran Ismaili për tri vite e ka ndarë pushtetin komunal në kryeqytet. Dhe nuk mund të zhvishet nga përgjegjësia se ky kaos e mban edhe vulën e tij. Fushatat elektorale nuk janë karnavale për spastrim nga e kaluara, por premtim për të ardhmen. Cilësi kjo që i mungon Uran Ismailit”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Me rikandidaturën e Uran Ismailit për Prishtinën, PDK-ja ka dëshmuar se nuk ka vullnet të fitojë kryeqytetin, thotë Kryeziu përmes reagimit të tij.

“Mjerisht me nominimin e këtij kandidati të përjetshëm, Partia Demokratike e Kosovës ka dëshmuar se nuk ka vullnet ta fitojë kryeqytetin, në kohën kur i ka pasur mundësitë më shumë së kurrë. Pas gabimeve të Përparim Ramës në menaxhimin e kryeqytetit dhe atyre në nivel qendror të Lëvizjes Vetëvendosje, u krijua shansa ideale për PDK. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet me një kandidat që krejt karrierën së bashku me klanin e ngushtë të tij kanë qenë të fokusuar si ta ruajnë pushtetin e brendshëm në dëm të parties”, ka thënë Kryeziu.

Në fund të shkrimit Qëndrim Kryeziu merr shembuj disa nga kryetarët e suksesshëm sipas tij që kanë vizion, vullnet dhe guxim për t’i adresuar sfidat e një kryeqyteti, e që sipas Kryeziut drejtues të tillë i mungojnë degës së PDK-së në Prishtinë.

“Për fund, Prishtinës i nevojiten kandidat sikur Agim Veliu i Ferizajt, Shaqir Totaj i Prizrenit, Ekrem Kastrati i Malishevës, apo Shpejtim Bulliqi nga qyteti i Besianës, që kanë vizion, guxim dhe vullnet për t’i adresuar sfidat e një kryeqyteti. Por të tillët nuk mund t’i gjesh sot në degën e PDK-së në Prishtinë, sepse ata do të ishin alternativë për kotësinë e një kandidati si Uran Ismaili. E një grup që i mohon alternativat e brendshme kurrë nuk mund të shndërrohet në shpresë dhe premtim të jashtëm qytetar e politik”, ka thënë Qëndrim Kryeziu.

Postimi i plotë: