Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qëndrim Kryeziu paralajmëron protesta kundër shtrenjtimit të rrymës dhe ujit

Qëndrim Kryeziu paralajmëron protesta kundër shtrenjtimit të rrymës dhe ujit

Qëndrim Kryeziu ka paralajmëruar organizimin e protestave qytetare kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe ujit, pas takimeve që zhvilloi me qytetarë në rrethin e Shtimes.

Gjatë një takimi simbolik “për kafe sipas traditës shqiptare”, Kryeziu u shpreh se qytetarët që i kishin dhënë besimin në zgjedhjet e fundit, vetëm nga vullneti për ndryshim, kanë shprehur pakënaqësi të thellë për gjendjen aktuale ekonomike. Sipas tij, rritja e vazhdueshme e çmimeve të rrymës dhe shtrenjtimi i fundit i ujit ua kanë bërë jetën të papërballueshme shumë familjeve.

Kryeziu tha se qytetarët kanë shprehur zhgënjim edhe me, siç u shpreh ai, pasivitetin e partisë së tyre të përbashkët, duke kërkuar një ndryshim radikal të qasjes politike. Ai u zotua se shumë shpejt do të marrë nismën për organizimin e protestave, me qëllim mobilizimin qytetar kundër zhvillimeve aktuale.

Sipas Kryeziut, kërkesa kryesore do të jetë kthimi i tarifave të energjisë elektrike në nivelin e kohës së qeverisjes së Hashim Thaçit, duke argumentuar se KEK-u, si prodhues vendor, nuk i ka shtrenjtuar çmimet. Ai theksoi se qytetarët nuk duhet të paguajnë tarifa të larta për shkak të, siç i quajti, fitimeve marramendëse të KESCO-s.

“Qytetarët kërkojnë vetëm që energjia e prodhuar nga KEK-u të faturohet sipas çmimeve reale të këtij institucioni, ndërsa për energjinë e importuar të vlejnë çmimet e bursave ndërkombëtare,” u shpreh Kryeziu.

Ai ngriti shqetësim edhe për cilësinë e furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se në shumë pjesë të Kosovës tensioni real nuk arrin 220 volt, ndonëse qytetarët faturohen për këtë nivel. Sipas tij, përdorimi i pajisjeve shtëpiake zgjat disa herë më shumë për shkak të tensionit të ulët, çka e cilësoi si padrejtësi dhe vjedhje ndaj konsumatorëve. Kryeziu kërkoi instalimin urgjent të njësorëve me standarde evropiane.

Në fund, ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve në protestat që pritet të organizohen së shpejti, duke theksuar se ato do të jenë të fokusuara ekskluzivisht në kërkesat për çmime më të përballueshme të rrymës, ujit dhe shërbimeve bazike.